Nga: Frano Kulli
Kur në përmbylljen e shekullit të XIX po rrokullisej në dekadencë Perandoria Osmane e forca e saj ishte zbehur edhe këtu në cepin e saj, pranë çdo kishe dhe kuvendi në Veri të Shqipërisë, në shkollat fetare, kishte nisur të mësohej gjuha shqipe. Jo vetëm në rrethina të cilat qenë më të lira prej ndikimit të autoriteteve zyrtare, por edhe në shkollën e françeskanëve në Shkodër, drejtori i saj At Gjergj Fishta, qysh më 1902 e fut për herë të parë gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë – njëra prej shkollave më të rëndësishme të qytetit dhe të krejt Shqipërisë së kohës.
Në lidhje më këtë situatë arsimore e kulturore, Dom Ndoc Nikaj do shprehej: “Shkrimi e leximi asht porsi nji ziarm i mbuluem qi ndezët perkadal ne terr e me ma te paren rase qi nje guximtar i largon hinin, shpërthen ne flake. Turkija prandaj me arsye dronte kulturën e shkrimet e këndimet se sa per gjuhen e folun gojarisht nuk u interesu me ba ndryshime”.
Meqenëse librat shkollorë dhe revistat në Shkodër aso kohe botoheshin në tri alfabete – në alfabetin e vjetër (të jezuitve), në atë të Shoqërisë “Bashkimi” (1899) të abat Preng Doçit dhe në alfabetin e Shoqërisë “Agimi” (1901) të Dom Ndre Mjedës – u ndie i nevojshëm përshpejtimi për një unifikim sa më parë të alfabetit. Me këtë rast, disa klerikë intelektualë shqiptarë, të përkrahur edhe nga Imzot Pashk Guerrini, arqipeshkëv i Kryediqezës Metropolitane të Shkodrës, kishin hedhur idenë për krijimin e një akademie (instituti) për studimin e dialekteve, vendosjen e gjuhës së përbashkët, hartimin e gramatikës e të fjalorit të gjuhës shqipe. Kjo ide e nxitur edhe nga situata e krijuar në terren, u bë temë diskutimi ndërmjet ipeshkvijve të dioqezave të Shkupit, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Pultit, Sapës dhe Abacisë së Mirditës, në një takim të mbajtur nga 1-6 maj 1902 në Shkodër. Më vonë, pjesë e kësaj nisme u bënë edhe Propaganda Fide në Romë dhe Konsullata Austro-Hungareze në Shkodër. Kjo e fundit kishte dedikuar në llogari të Arqipeshkvisë së Shkodrës – 400 franga – për formimin e kësaj akademie studimore. Porse nga letra e Imzot Guerrinit, dos. 28, dt. 26 maj 1902. nr. Prot. 377, mësohet se kjo ide fisnike kishte mbetur e parealizuar për arsye të mosarritjes së konsensusit ndërmjet ipeshkvijve, kërkesë kjo e qeverisë Austro-Hungareze dhe e Propaganda Fide.
Në vazhdën e lëvizjeje politike e kulturore që zhvilloheshin në këto rrethana, brenda dhe jashtë Shqipërisë për formësimin e unitetit kombëtar nëpërmjet përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe dhe arsimimit në shqip, duhet veçuar mbledhjen e disa klerikëve të Veriut me në krye Dom Ndoc Nikajn, famullitarin e Shkrelit dhe abatin e Mirditës, Preng Doçin, në vitin 1893, në Shkrel të Malësisë së Madhe. Sipas dëshmisë së Dom Ndocit, kjo qe mbledhje e fshehtë dhe, në përfundim të saj, aty u krijua lidhja kombëtare e quajtur “Bashkimi Shqyptar”. Nikaj, më tej shprehet se kjo mbledhje “Kishte për detyrë Bashkimin e Shqyptarve pa dallim feje dhe fisi” … “U lidhme me shkrue në giuhen shype, seicilli si mbas andjes së vet dhe si mbas priret përkatëse”. Nga kjo mbledhje e pati zanafillën e vet edhe formimi i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, e cila në vitin 1899 mori formën e vet zyrtare, me kryetar abat Preng Doçin. Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi” ishin: Imzot, Preng Doçi, Imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja, Ndue Paluca etj.
Qëllimi kryesor i kësaj Shoqërie ishte përhapja sa më shumë e gjuhës shqipe nëpërmjet shtypit të shkruar si dhe shtimi i botimit të librave nga fushat e ndryshme në alfabetin latin – veprime atdhetare të cilat shërbyen si parapërgatitje për shpalljen e Pavarësisë se vendit tonë ne vitin 1912.
Vepra e parë dhe themeltare që doli nga shoqëria “Bashkimi”, udhëhequr nga abat Doçi, qe “Fialuer i Rii i Shcypes”, Shkodër, 9 Janar 1908 dhe hartuesit, sipas dëshmisë së d. Ndoc Nikajt, dëshmitar pjesëmarrës, qenë: Dom Dodë Koleci, dom Ndoc Nikaj dhe dom Mark Shllaku. Kurse, sipas studiuesit Xhevat Lloshi: “Nga bashkëthemeluesit e Shoqërisë, katër prej tyre kanë bashkëpunuar për Fjalorin. Pjesën më të madhe të punës e ka bërë Dodë (Domeniko) Koleci, famullitar i Ndërfandës. Ai ka qenë edhe redaktori i përgjithshëm”. Bashkëpunuan edhe: Gjergj Fishta, Mark Shllaku (4-5 shkronja), Pashk Bardhi, Mihal Bushati dhe Gjergj Koleci, ndërsa N. Nikaj mëton se ka bërë një të tretën e shkronjave.
Fjalori me germa latine, prej 538 faqesh dhe me afro 13 614 fjalë, ishte një udhërrëfyes i pazëvendësueshëm për ngjarjen e ndodhur në Kongresin e Manastirit, më 14-22 nëntor 1908, kur me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të komisionit u vendos që populli shqiptarë, pas shumë shekujve të kishte alfabetin e vet unik.
Ndër aktorët që kontribuuan për unifikimin e alfabetit, i cili pati për bazë fjalorin e shoqërisë “Bashkimi”, përmenden: Atë Shtjefën Gjeçovi dhe letërkëmbimi i tij me konsullin austro-hungarez, Atë Vinçens Prenushi dhe korrespodenca e tij e datës 14 shkurt dhe 27 korrik 1908 rreth punës se Kongresit, me A. S. Drenoven, F. Nolin, P. Luarasin etj. dhe Seminari i Jezuitëve ne Shkodër. Në Kongresin e Manastirit, në komisionin e alfabetit, kryetar i të cilit ishte At Gjergj Fishta, përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, ishin dom Ndre Mjeda si përfaqësues i shoqërisë “Agimi” dhe Dom Nikollë Kaçorri i dërguari i Kryedioqezës së Durrësit.
Sipas dokumentacionit të Kryedioqezës së Shkodrës, dosja 26, viti 1908, letër urimi i ka dërguar Kongresit edhe Imzot Pashk Guerrini së bashku me 30 intelektualë shkodranë, të firmosur më dt. 9 nëntor 1908. Ndër të tjera në këtë letër thuhet: “Gnjiesia e abees asct ner maa scejte cestie per gith nee”. Gjithçka u arrit si rezultat i kësaj veprimtarie të Shoqnisë “Bashkimi” u përcoll dhe ishte objekt i shoshitjeve përgjatë ditëve të Kongresit të Manastirit.
Vendimet e Kongresit të Manastirit, i cili nuk mund të imagjinohet pa Shoqërinë “Bashkimi”, kanë qenë të mirëpritura edhe te faktorët e tjerë të rëndësishëm. Këtë e dëshmon korrespodenca e mëvonshme ndërmjet Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Guerrinit, atij të Durrësit, Imzot Primo Bianchi (Prend Bardhi) me Propaganda Fide në Romë dhe Konsullatën Austro-Hungareze në Shkodër. Në këtë korrespodencë ndër të tjera citohej se botimi i librave shqip tash e këndej do bâhej simbas vendimit të Kongresit të Manastirit. E kësaj rëndësie është edhe letra e rektorit të Seminarit, Liugi Cattaneo, e 13 marsit 1909, drejtuar të gjithë ipeshkvijve për botimin e katekizmit të Papa Pio X në gjuhën shqipe, sipas Manastirit. Shoqëria “Bashkimi”, brenda nëntë viteve të ekzistencës së vet, ka nxjerrë në dritë 32 vepra në fushë të gjuhës, tekste shkollore, vepra letrare, historike e fetare, që mbanin në vetvete, një rëndësi, jo vetëm filologjike por edhe kombëtare.
Veprat e Shoqërisë “Bashkimi” botoheshin, në shtypshkronjën e jezuitëve, “Zoja e Paperlyeme” në Shkodër, shtypshkronja më e vjetër në Shqipëri e krijuar që nga viti 1870. Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, për vlerën që pati, u bë model dhe pikë referimi për hartuesit e më vonshëm të fjalorëve, si: Nobert Jokli (më1911 e më 1923), P. Antonio Busetti1911(Vocabolario italiano-albanese), Atë Fulvio Cordigano, (më 1929 e më 1934), Dom Nikollë Gazulli (më 1939 e më 1941), Atë Bendikt Dema, (më 1966), si dhe për studiuesit: Aleksander Xhuvani, Eqrem Çabej etj. e deri të hartuesit e Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954.
Në Prishtinë është bërë një botim anastatik në vitin 1978 nga shtëpia botuese “Rilindja”. Kurse në Shqipëri botohet për herë të parë 110 vite mbas botimit të parë nga “Botimet Fishta”. Një botim anastatik, një botim i vlertë , sidomos për studiues e gjuhëtarë, leksikografë më së pari, një arsye e mjaftë kjo dhe e bindëshme se ende sot nuk është bjerrë vlera dhe nevoja për këtë fjalor. /Gazeta “Panorama”/

