Irani ka shkatërruar një sistem shumë të rëndësishëm të radarëve amerikan, me vlerë rreth 300 milionë dollarë, i cili përdorej për drejtimin e sistemeve amerikane të mbrojtjes kundër raketave në rajonin e Gjirit. Ky zhvillim konsiderohet një goditje strategjike për mbrojtjen ajrore të rajonit.
Sipas raportimeve, radari dhe pajisjet shoqëruese u shkatërruan në bazën ajrore Muwaffaq Salti në Jordani, në ditët e para të luftës. Informacioni u konfirmua nga një zyrtar amerikan dhe më herët ishte raportuar nga CNN bazuar në imazhe satelitore komerciale, shkruan bloomberg.
Të dhënat e një instituti kërkimor tregojnë se dy sulme iraniane në Jordani janë regjistruar: më 28 shkurt dhe më 3 mars. Thuhet se sulmet janë kapur nga mbrojtja ajrore, por fotografitë satelitore tregojnë se radari AN/TPY-2 dhe pajisjet e sistemit amerikan THAAD janë shkatërruar.
Ekspertët thonë se një sulm i suksesshëm ndaj radarit të sistemit THAAD do të ishte një nga sulmet më të rëndësishme iraniane deri tani. Megjithatë, ushtria amerikane dhe aleatët e saj kanë edhe radarë të tjerë që mund të vazhdojnë të sigurojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër-raketore.
Sistemi THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) është projektuar për të shkatërruar raketa balistike në kufirin e atmosferës dhe mund të përballojë kërcënime më të mëdha se sistemi Patriot, i cili ka rreze më të shkurtër. Tani që radari është jashtë funksionit, një pjesë e mbrojtjes do të mbështetet më shumë te sistemet Patriot, për të cilat tashmë ka mungesë raketash interceptuese.
SHBA ka vetëm tetë sisteme THAAD në gjithë botën, përfshirë ato në Korenë e Jugut dhe Guam. Një bateri e plotë kushton rreth 1 miliard dollarë, ndërsa vetëm radari vlen rreth 300 milionë dollarë.
Ekspertët paralajmërojnë se këto janë burime strategjike të kufizuara, prandaj humbja e një radari të tillë është një goditje serioze. Një bateri THAAD përbëhet nga rreth 90 ushtarë, gjashtë lëshues raketash dhe 48 raketa interceptuese, si dhe nga radari dhe sistemi i komandës.
Sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonin e Gjirit janë nën presion të madh për shkak të sulmeve iraniane me dronë dhe raketa balistike, gjë që ka ngritur shqetësime se rezervat e raketave interceptuese mund të bien në nivele të rrezikshme.
Për këtë arsye, përfaqësues të kompanive të mbrojtjes, përfshirë prodhuesit e armëve amerikane, janë takuar në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar rritjen e prodhimit të armëve dhe raketave mbrojtëse. /Telegrafi/