Dita Ndërkombëtare e Gruas shpesh shënohet me urime dhe lule.
Por përtej kësaj, është edhe njëmoment për të dëgjuar rrëfimet reale të grave, rruga e të cilave nuk ka qenë gjithmonë e shtruar me lule.
Në episodet e 3GO Podcast kanë qenë të ftuara gra nga fusha të ndryshme nga politika dhe gazetaria, te teknologjia, biznesi, shoqëria civile dhe alpinizmi. Me rastin e 8 Marsit, rikthejmë disa nga këto rrëfime.
Çfarë i bashkon këto histori?
Në rrëfimet e grave që kanë qenë pjesë e 3GO Podcast, dalin disa tema të përbashkëta:
- vendime të vështira për të ndryshuar drejtimin e karrierës
- këmbëngulje në industri ku gratë janë shpesh pakicë
- pasion për të ndërtuar diçka me ndikim
- guxim për të mos u tërhequr edhe kur rruga nuk është e qartë
Rrugëtimi i Vjosa Osmanit drejt lidershipit filloi shumë herët dhe u ndërtua mbi përkushtim ndaj arsimit dhe angazhimit publik. Një nga ëndrrat që ajo kishte që në fëmijëri ishte të studionte në Shtetet e Bashkuara.
“Unë e kam pasur gjithmonë ëndërr jetësore, prej kur kam qenë fëmijë i vogël, me studiu në Amerikë.”
Për të, rruga drejt Presidencës nuk ishte e shpejtë, por rezultat i shumë viteve pune dhe angazhimi publik:
“Ndoshta njerëzve ju duket që shpejt kam mbërri me u zgjedhë Presidente, ama ka qenë një rrugëtim njëzet e dy vjeçar.”
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Dr. Vjosa Osmani – Sadriu | Presidente e Republikës së Kosovës
Si e ktheu Jeta Xharra gazetarinë në mision
Për Jeta Xharrën, gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe përgjegjësi për të dokumentuar dhe ruajtur historinë.
Në fillim të viteve ’90, kur shumë familje në Kosovë humbën vendet e punës, ajo mësoirrobaqepësinë, një aftësi që mund të siguronte të ardhura në kohë të vështira.
“Gjithmonë në rrezik e kam pa që komuniteti jonë, kur ka qenë në rrezik, i është kthy diçkaje që e kanë ditur me e bo.”
Më vonë, përmes gazetarisë investigative, ajo u përball me sfida të shumta për të dokumentuar të vërtetën dhe për të ruajtur historinë ashtu siç ka ndodhur.
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Jeta Xharra – Executive Director BIRN Kosovo
Si e ndërtoi Jeta Zagragja karrierën në biznes
Rrugëtimi profesional i Jeta Zagragjës u formua nga përvoja e hershme në biznesin familjar.
Ajo filloi të punonte që në fëmijëri duke ndihmuar në dyqanin e familjes:
“Puna më ka definu shumëgjatë krejt jetës teme dhe vazhdon me më definu.”
Sipas saj, në fillim të karrierës është më e rëndësishme përvoja dhe mësimi nga ambienti i punës sesa paga.Edhe kur është gjendur në ambiente ku ishte e vetmja grua, ajo nuk është tërhequr.
“Kam qenë në takim me njëzet burra, as nuk jam tërhekë, as nuk kam mendu që jam ma pak.”
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Jeta Zagragja – AnchorzUp
Si e ndërtoi Arta Zaimi një startup në teknologji
Arta Zaimi zgjodhi të studiojë Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike në një kohë kur shumë pak vajza ndiqnin këtë drejtim.Pas disa vitesh në sektorin e teknologjisë, ajo vendosi të ndërtojë një iniciativë që lidh edukiminme teknologjinë.
“Për mua, paraja është vegël. Vegël e cila më lejon me bo diçka.”
Nga kjo ide lindi startup-i Labbox, një produkt edukativ që ndihmon fëmijët të mësojnë teknologjinë përmes eksperimenteve praktike dhe që sot përdoret edhe në tregje ndërkombëtare.
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Arta Shehu Zaimi – jCoders & LabBox
Si arriti Uta Ibrahimi në majën e Everestit
Para se të bëhej alpiniste, Uta Ibrahimi punoi për vite në industrinë e marketingut. Por pasionipër malet e shtyu të ndryshojë rrugën e saj profesionale.Deri atëherë, malet konsiderohesh “të djemve”.
Ajo tregon për paragjykimet: “Diku në nëntor më thanë që kena vendos me shku veç djem.”
Megjithatë ajo vazhdoi rrugën e saj dhe u bë personi i parë nga Kosova që ngjiti Everestin:
“Është shumë nder me çu flamurin e Kosovës për herë të parë në maje të botës.”
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Uta Ibrahimi – Alpiniste – SDG Champion
Si e ndërtoi Hana Qerimi Shkollën Digjitale
Hana Qerimi filloi të punojë që në moshë të re duke kërkuar vetë mundësi: “Jo s’em thirri kurrkush… gjithë vetë i kam dhënë zor.”
Vite më vonë ajo themeloi Shkollën Digjitale, e cila filloi si një iniciativë e vogël dhe sot është shndërruar në një rrjet ndërkombëtar që u mëson fëmijëve programim.
“Vyn guxim, por vyn edhe shumë edhe shumë vetëbesim.”
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Hana Qerimi – Shkolla Digjitale
Si mori Leonora Kusari rol drejtues në BERZH për Ballkan
Leonora Kusari ka ndërtuar një karrierë duke punuar me biznese dhe ndërmarrës në Kosovë dhe në rajon. Përmes angazhimit të saj në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ajo ka qenë pjesë e programeve që ndihmojnë kompanitë të zhvillohen përmes këshillimit dhe qasjes në financim.
Në fillim, një nga sfidat kryesore ishte ndërtimi i kapaciteteve lokale për konsulencë biznesi dhe përgatitja e kompanive për standarde ndërkombëtare.
“Kam punu në industri të duhanit, ku kam qenë e vetmja femër në Ballkan.”
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Leonora Kusari – Principal, Private Sector Expert EBRD
Si u kthye Jehona Gjurgjeala për të kontribuar në Kosovë
Edhe pse studioi dhe jetoi jashtë vendit për disa vite, Jehona Gjurgjeala gjithmonë e kishte të qartë se do të kthehej për të kontribuar në Kosovë.
“Unë në momentin që kam dalë prej Kosovës… e kam ditë që po du m’u kthy.”
Sot, përmes organizatës TOKA, ajo krijon mundësi për të rinjtë që të zhvillohen, të mësojnë dhe të angazhohen në komunitet.
Dëgjo tregimin e plotë në 3GO Podcast: Jehona Gjurgjeala – Drejtore Ekzekutive “OJQ Toka”