Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke akuzuar Lëvizja Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve dhe shtyrjen e vendit drejt një cikli të ri zgjedhor.
Përmes një reagimi publik, Çitaku tha se ambicia për kontroll të plotë institucional po e çon Kosovën drejt një krize të re politike.
“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë vendin drejt një cikli tjetër zgjedhjesh”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, përgjegjësia për situatën aktuale politike është e qartë dhe lidhet me mungesën e vullnetit për marrëveshje politike.
“Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, ka theksuar Çitaku.
Ajo ka shtuar gjithashtu se zhvillimet politike duhet të reflektohen edhe në raport me sakrificën e bërë për lirinë e vendit.
“Sot, kur të shkojnë e të bëjnë homazhe aty ku pushojnë heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë”, ka thënë Çitaku.
Në reagimin e saj, nënkryetarja e PDK-së theksoi se liria dhe Republika e Kosovës nuk duhet të shpërdorohen.
“Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, është shprehur ajo. /Telegrafi/