Llapi ka siguruar biletën e fundit për gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, teksa ka mposhtur Malishevën pas penalltive 4-2, ku koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 2-2.
Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen, ku vetëm pas tre minutave lojë gjetën golin e parë në këtë ndeshje.
Assane Diatta asistoj bukur te Mevlan Zeka i cili nga afërsia shënoi për ta kaluar Malishevën në epërsi 1-0.
Përkundër përpjekjeve nga llapjanët, pjesa e parë nuk prodhoi më gola dhe u mbyll me epërsinë minimale të Malishevës 0-1.
E pjesa e dytë nisi shumë më mirë për skuadrën vendase, ku gjetën golin e barazimit.
Besar Musolli u gjet bukur në zonë dhe shënoi me kokë për1-1.
Dy skuadrat krijuan raste të mira shënimi brenda 90 minutave, por që gola më nuk pati dhe ndeshja shkoi në vazhdime.
15 minutat e para të vazhdimeve nuk prodhuan gola.
Në minutën e 109-të, ishin mysafirët që shënuan gol me Mevlan Zekën që realizoi për 1-2 pas asistimit nga Laurent Xhylani.
Kur u mendua se ndeshja po përfundonte, Arbnor Ramadani dha një asistim perfekt te Fuad Ajvazi që realizoi me kokë për 2-2.
E në penallti Llapi fitoi 4-2, duke kaluar në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale përveç Llapit janë edhe Ballkani, Dukagjini dhe Ferizaj. /Telegrafi/