Instituti GAP ka paraqitur të dhënat lidhur me shërbimet që Kosova ka eksportuar më së shumti.
GAP thekson se në vitin 2025 eksportet e shërbimeve u dominuan nga aktivitete si shërbimet e udhëtimit, shërbimet e TIK-ut, konsulencë dhe shërbime të transportit.
Të dhënat janë paraqitur nga viti 2015, ku eksporti i shërbimeve ishte rreth 951.5 milion €.
Sipas të dhënave, ka pasur rritje graduale çdo vit deri në 2019 (1.7 miliard €). Në 2020 shihet një rënie në rreth 1.0 miliard euro, kryesisht për shkak të pandemisë dhe uljes së udhëtimeve.
Pas kësaj, eksporti është rritur shumë shpejt:
2021: 1.9 miliard €
2022: 2.5 miliardë €
2023: 3.0 miliardë €
2024: 3.4 miliardë €
2025: rreth 3.9 miliardë €.
E në vitin 2025, eksportet e shërbimeve u dominuan nga aktivitete si:
Shërbimet e udhëtimit, ku përfshihen shërbimet e ofruara për jo-rezidentët gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë – në vlerë prej 2.8 miliardë euro (+16% krahasuar me vitin 2024).
Shërbimet e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), ku përfshihen shërbimet e zërit dhe të dhënave (përmes rrjeteve telefonike, transmetimeve kabllore e satelitore, dhe platformave elektronike të komunikimit), shërbimet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe programeve kompjuterike, si dhe shërbimet e agjencive të lajmeve – në vlerë prej 398.2 milionë euro (+14% krahasuar me vitin 2024).
Shërbimet e tjera të biznesit, ku përfshihen shërbime si shërbimet hulumtuese dhe zhvillimore, shërbimet e konsulencës profesionale dhe menaxhimit, shërbimet teknike, etj., me vlerë prej 272.5 milionë euro (+4% krahasuar me vitin 2024), dhe
Shërbimet e transportit, ku përfshihen shërbimet e bartjes së udhëtarëve dhe mallrave dhe të gjitha shërbimet mbështetëse – në vlerë prej 191.3 milionë euro (+30%). /Telegrafi/