Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë me rastin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Kurti u shpreh se kjo ngjarje përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve dhe në përpjekjet për çlirim. Ai rikujtoi se marsi i vitit 1998, veçanërisht ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, shënuan një përballje të pabarabartë, por me domethënie të jashtëzakonshme historike.
“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme bashkëkohore, Epopenë e UÇK-së. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare drejt lirisë dhe pavarësisë. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars ndodhi një ngjarje aq e pabarabartë, por me domethënie të madhe”, ka thënë Kurti.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas tij, për tri ditë e tri net rresht familja liridashëse Jashari bëri rezistencë përballë forcave shumëfish më të mëdha.
Ai theksoi se familja e komandantit legjendar të Adem Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të armatosura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake, por megjithatë qëndroi deri në fund, duke sakrifikuar jetën për lirinë e vendit.
Kurti nënvizoi se për familjen Jashari vlerë kishte vetëm liria.
Ai kujtoi se burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga komandanti Adem Jashari, ndërsa gjatë luftimeve të rinjtë dhe fëmijët morën pozicionet e tyre, ndërsa gratë dhe vajzat ndihmonin duke furnizuar me armatim.
Kryeministri theksoi se pas këtyre tri ditëve lufta në Kosovë mori një drejtim tjetër dhe u shndërrua në një pikë kthese për rezistencën çlirimtare.
Foto: Ridvan Slivova
Duke përmendur edhe fjalët e Rifat Jashari, ai rikujtoi se sakrifica e familjes Jashari ishte e madhe.
“Siç kishte thënë Rifat Jashari, humba 56 anëtarë të famijles por fitova zemrat e shqiptarëve. Liria që e gëzojmë sot është ndërtuar në qendrën e tyre që nuk u dorëzuan”, tha Kurti.
Kurti po ashtu theksoi se liria që gëzohet sot është ndërtuar mbi sakrificën e atyre që nuk u dorëzuan.
Ai shtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë që kjo histori të ruhet dhe të përcillet tek brezat e rinj të shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. /Telegrafi/