Derbi i javës, e ndoshta edhe i sezonit, zhvillohet këtë të enjte në Shkup, aty ku mund të përcaktohet kahja e titullit kampion në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Pas një fillimi perfekt në pranverë me katër fitore në po aq ndeshje, Shkëndija e Tetovës udhëton drejt kryeqytetit për t’u përballur me rivalin e madh, Vardarin nga Shkupi, në kuadër të javës së 21-të. Një sfidë që jo vetëm vendos për tri pikë, por mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për fronin, pasi vetëm katër pikë është dallimi.
Forma aktuale e kuqezinjve jep optimizëm në kampin tetovar. Skuadra ka lënë pas ngarkesën e ndeshjeve të vështira dhe sfidat evropiane, duke e përqendruar gjithë fokusin te derbi. Sulmuesi i krahut, Liridon Latifi, e cilëson këtë përballje si vendimtare:
“Përkundër faktit se kemi pasur disa ndeshje shumë të vështira javët e fundit dhe ndeshjet që i kishim në Evropë, ne kemi lënë gjithçka mbrapa dhe fokusi jonë është te derbi. Ndeshje shumë e rëndësishme e cila shpresoj të mbyllet në favorin tonë.”
Latifi thekson se për Shkëndijën nuk ka rëndësi vendi ku luhet ndeshja, por kushtet e barabarta:
“Për ne nuk ka rëndësi se ku do të luhet ndeshja. E vetmja gjë që ka rëndësi për ne është të kemi kushte të barabarta me kundërshtarin në të gjitha aspektet. Shpresoj vetëm të jetë fushë e mirë për futboll, pastaj aty do të shihet kush çka ka për të treguar.”
Sa i përket përbërjes, Shkëndija do të jetë pa Arbin Zejnullain dhe Numan Ajetin, të cilët mungojnë për shkak të pezullimit me nga pesë kartonë të verdhë. Megjithatë, rikthehet në dispozicion mbrojtësi Anes Meliqi, që mungoi në sfidën e fundit ndaj Pelisterit për të njëjtën arsye.
Kujtojmë se përballja e parë e këtij sezoni mes dy rivalëve u zhvillua në Tetovë dhe përfundoi me fitore 0-1 për Vardarin, çka e bën edhe më të zjarrtë sfidën e radhës. Drejtësinë në këtë takim do ta ndajë gjyqtari Fatmir Bafto nga Ohri.
Ndeshja ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës do të zhvillohet të enjten në kompleksin e FFM-së në Shkup, me fillim nga ora 14:00. Një duel që pritet të dhurojë emocione të forta dhe që mund të shënojë kthesën vendimtare në luftën për titull. /Telegrafi/