Sipas raportimeve të Carrusel Deportivo, brenda skuadrës së Real Madridit ka nisur të krijohet një ndjenjë dorëzimi në garën për titullin e La Ligës, pas një serie goditjesh të rënda në javët e fundit.
Humbjet ndaj Osasunas (2-1) dhe Getafes (1-0) kanë tronditur ndjeshëm moralin e ekipit, sidomos disfata befasuese në shtëpi ndaj Getafes.
Aktualisht, madrilenët përballen me mungesën e shtatë lojtarëve kyç për shkak dëmtimesh, ndërsa tre të tjerë janë të pezulluar për ndeshjen e së premtes në kampionat ndaj Celta Vigos.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm në të gjitha repartet, mbrojtje, mesfushë dhe sulm duke e lënë skuadrën me alternativa të kufizuara në një moment vendimtar të sezonit.
Një nga goditjet më të rënda është dëmtimi serioz i sulmuesit brazilian Rodrygo, i cili ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar.
Megjithëse diferenca me kreun e tabelës, Barcelonën, është vetëm katër pikë, raportimet sugjerojnë se brenda dhomave të zhveshjes po rritet bindja se përmbysja e situatës duket gjithnjë e më e vështirë në kushtet aktuale.
Trajneri i përkohshëm Alvaro Arbeloa vijon të kërkojë reagim dhe frymë lufte nga skuadra, por atmosfera pas dyerve të mbyllura thuhet se është bërë më pesimiste, ndërsa sezoni rrezikon të dalë jashtë objektivave të vendosura në fillim. /Telegrafi/