Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Krasniqi ndau një lajm ekskluziv që kishte të bënte me periudhën kur Kosova pritej të zhvillonte një ndeshje miqësore me Dinamo Zagreb.
Ai tregoi se si ishte arritur marrëveshja dhe entuziazmi që kishte përfshirë opinionin sportiv, por edhe mënyrën se si ndërhyrjet nga Serbia çuan në anulimin e takimit, duke e lënë Kosovën pa një përballje historike në atë kohë.
Një tjetër moment i veçantë ishte rrëfimi për ndeshjen historike ndaj Finlandës dhe emocionet që e shoqëruan atë mbrëmje.
Krasniqi kujtoi lotët e Valon Berishës, duke e përshkruar si një nga skenat më prekëse që kishte përjetuar ndonjëherë në stadium, në një periudhë kur Kombëtarja po hidhte hapat e saj të parë në arenën ndërkombëtare.
Biseda u ndal edhe te momenti historik i pranimit të Kosovës në UEFA. Krasniqi përshkroi emocionet e gazetarëve kosovarë në sallë, tensionin e pritjes së votimit dhe shpërthimin e gëzimit pas vendimit pozitiv, duke e cilësuar atë si një nga ditët më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar.
Një episod interesant ishte edhe takimi i tij me legjendën e tenisit Serena Williams. Ai tregoi për bisedën që pati me të dhe kërkesën e saj të veçantë për të mësuar më shumë rreth Kosovës, përfshirë interesimin për logot dhe simbolet shtetërore.
Në fund, Krasniqi foli për medaljet në Lojërat Olimpike, duke analizuar rëndësinë historike të sukseseve olimpike për sportin kosovar dhe ndikimin që ato kanë pasur në rritjen e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Episodin e plotë me Kushtrim Krasniqin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com