Kryeministri Edi Rama tha sot se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të thotë fjalën e fundit lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Në një fjalim të gjatë prej 97 minutash, kreu i qeverisë tha se Balluku ia kishte kërkuar tre herë dorëheqjen me shkrim dhe të tri herët ai e kishte refuzuar, pasi siç tha “ne nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve sa herë ngrihet një akuzë”.
Rama foli për prezumimin e pafajësisë për të gjitha rastet kur SPAK apo Prokuroritë kanë kërkuar arrest me burg për funksionarët e shtetit, duke thënë se ata po presin fletarreste me tufa, raporton tch.
Në lidhje me çështjen e zv.kryeministres, kreu i qeverisë Edi Rama deklaroi se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve.
Ndër të tjera kryesocialisti tha ‘nuk hyjmë në vallen e dorëheqjeve sa herë ka një akuzë’.
Rama ka ironizuar akuzat e opozitës për anëtarët e tij të qeverisë, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.
“Ju kujtohet rrëshqitja e rrugës Plloçë Ersekë, brenda afatit u riparua totalisht me fondet e sipërmarrësit, rruga sot është e shqiptarëve, ndodhi diçka që nuk duhej të ndodhte por këto nuk janë gjëra që nuk ndodhin askund dhe ndodhin vetëm këtu“, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri Edi Rama duke folur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u shpreh se do të ndalet te veprimet dhe vendimet e sistemit të drejtësisë vetëm “një nga njëmijë gjëra që ka për të thënë”.
Ai tha se ka pasur ndërhyrje të pajustifikueshme dhe panevojshme të gjyqësorit në ekzekutiv, teksa shtoi se janë lëshuar një mori fletëarrestesh, që në rastin më të mirë sipas tij nuk janë vepra penale, e në rastin më të keq duhet të hetohen në gjendje të lirë.
Ndryshe, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama tha se objektivi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një busull e pagabueshme.
Sipas Ramës risku lidhen me mundësinë që vendi të bëjë vendnumëro duke humbur kohë dhe mundësi për të arritur qëllimin për t’u bërë pjesë e BE në 2030, por shtoi se është besimplotë që ky test do të kalojë. /tch/