Një ndërhyrje brutale në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv e cilësoi kryeministri Edi Rama vendimin e GJKKO-së për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama theksoi se pezullimi i një ministri pa gjyq përbën rast të paprecedentë.
“Çfarë është përveçse ndërhyrje brutale në territorin, pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës, me vendim të një seance paraprake pa gjyq, i pandodhur në historinë e botës. Çfarë është përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate përfaqësuesish të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit pagat dhe përcakton politikat e pagave apo taksave të një vendi. Por, shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare dhe kuturisjet e përsëritura, jashtë kornizës kushtetuese e ligjore të fashiten sepse në të kundërt nuk do kemi gjyqësor të pavarur e paanshëm dhe as nuk do kemi një shtet funksional, një administratë publike, pa pasur frikë të marrë vendime, deri në blerjen e letrës higjienike. Ky është fakt dhe një nga mijëra faktet që mund të jap, por e zgjodha enkas pasi është më tragjikomiku. Nuk do kemi sipërmarrje të lirë dhe konsumator të çliruar nga frika se mudn të bjerë në sy. E përsëris, këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara, Shqipëria nuk ka luksin për t’u vonuar për t’i nxjerrë këto mësime”, u shpreh ai. (A2 Televizion)