Meghan Markle dhe Princi Harry filluan një vizitë dy-ditore në Jordani, gjatë së cilës ata vizituan spitalet dhe kampet e refugjatëve dhe u takuan me të rinj sirianë dhe palestinezë të prekur nga konflikti.
Vizita vjen me ftesë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe përqendrohet në aktivitetet humanitare dhe kujdesin shëndetësor të refugjatëve.
Çifti vizitoi Spitalin Special në Aman, ku folën me mjekët dhe takuan Marian 14-vjeçare, një viktimë e djegieve të rënda. Meghan foli gjithashtu me Jaberin 17-vjeçar, një të ri me këmbë të thyera i cili u dërgua me aeroplan në Jordani nga Gaza për trajtim urgjent.
Dr. Hamzeh Odeh, kreu i departamentit të urgjencës së spitalit, theksoi: “Këto janë lëndime të pritshme në rrethana lufte. Megjithatë, disa lëndime nuk lidhen drejtpërdrejt me luftën, por janë rezultat i mungesës së mjekëve dhe ilaçeve”.
Më pas, çifti vizitoi kampin e refugjatëve “Za’atari”, ku morën pjesë në aktivitete me fëmijë sirianë, duke përfshirë mësime muzike dhe futbolli. Gjatë qëndrimit në kamp, çifti vizitoi edhe qendrën rinore Questscope, ku u shoqëruan me fëmijët përmes aktiviteteve artistike, muzikore dhe sportive, duke u ofruar atyre mbështetje dhe inkurajim.
Në kryeqytetin Aman, Meghan dhe Harry morën pjesë në një diskutim në tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të OKB-së, donatorë dhe përfaqësues diplomatikë. Ambasadori britanik në Jordani, Philip Hall, falënderoi çiftin për vizitën e tyre.
“Mbështetja dhe prania juaj tregojnë se sa shumë i vlerësojmë përpjekjet e OKB-së, OBSH-së dhe autoriteteve jordaneze”, tha ai.
OBSH-ja i dha çiftit një mirëseardhje të ngrohtë dhe Drejtori i Përgjithshëm, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, puthi dhe përqafoi Meghanin dhe i shtrëngoi dorën Harry-t. /Telegrafi/