Ish-përzgjedhësi i Kombëtares italiane, Cesare Prandelli, beson se JuventusI ka potencialin për të realizuar një përmbysje të madhe ndaj Galatasaray në ndeshjen e kthimit të play-offit të Ligës së Kampionëve.
“Zonja e Vjetër” u mposht 5-2 në Stamboll dhe tani i duhet një mrekulli sportive për të siguruar kualifikimin.
Juventusi duhet të fitojë me tre gola diferencë për ta çuar sfidën në vazhdime, ndërsa me katër gola për të shmangur penalltitë dhe për të kaluar direkt në fazën tjetër.
Prandelli: Juventusi mund ta bëjë
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Prandelli u shpreh optimist për shanset e bardhezinjve ndaj gjigantit turk, klub që ai e kishte drejtuar në të shkuarën. Në anën tjetër, Prandelli ka qenë futbollit I Juventusit.
“Të shënosh tre apo katër gola pa pësuar kundër një skuadre të fortë është e vështirë. Por pas asaj që ndodhi në Stamboll, kush do ta kishte imagjinuar një pjesë të parë të tillë? Ekipi i drejtuar nga Luciano Spalletti mund ta bëjë, pse jo?”, deklaroi ai.
Sipas tij, një gol i hershëm mund të ndryshojë krejtësisht rrjedhën e ndeshjes në aspektin psikologjik.
“Spalletti është Ronaldo i këtij Juventusi”
Herën e fundit që Juventusi realizoi një rikthim të tillë në Ligën e Kampionëve ishte në sezonin 2018-19, kur Cristiano Ronaldo shënoi tregolësh ndaj Atlético Madrid për të siguruar kualifikimin.
I pyetur se kush mund të jetë “Ronaldo” i këtij Juventusi, Prandelli dha një përgjigje befasuese.
“Spalletti. Ai nuk zbret në fushë, por është njeriu me më shumë përvojë dhe karizëm. Nuk pres shpikje taktike, por besoj se do t’u besojë lojtarëve më të sigurt”, deklaroi ai.
Javë vendimtare për sezonin e bardhëezinjëve
Përveç përballjes me Galatasarayn, Juventusi do të ketë edhe një sfidë direkte në Serie A ndaj AS Roma në Stadio Olimpico. Bardhezinjtë aktualisht renditen në vendin e pestë dhe janë katër pikë larg zonës që siguron kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Prandelli e bëri të qartë se nuk duhet të ketë llogaritje apo kursime për ndeshjen evropiane.
“Ndeshja me Galatasarayn është më e rëndësishmja. Një rikthim në Champions do t’i jepte ekipit vrull të jashtëzakonshëm për sfidën ndaj Romës”, shtoi ai.
Kualifikimi në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve do t’i sillte Juventusit rreth 15 milionë euro, ndërsa një vend në top katërshe në Serie A vlerësohet me rreth 60 milionë euro.
Megjithatë, Prandelli thekson se aspekti financiar nuk duhet të ndikojë në qasjen sportive.
Tani mbetet të shihet nëse Juventusi do të arrijë një tjetër natë historike evropiane apo nëse sezoni do të marrë një goditje të rëndë në mesjavë. /Telegrafi/