Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë të hënën se Shtetet e Bashkuara po i mbajnë të gjitha opsionet e hapura në qasjen e tyre ndaj Iranit, ndërsa i bën thirrje vendit të negociojë një marrëveshje.
Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Colorado, Hegseth përsëriti se presidenti Donald Trump preferon një zgjidhje diplomatike, por vuri në dukje se ushtria amerikane është e përgatitur me plane emergjence nëse Irani refuzon të arrijë një marrëveshje.
“Irani duhet të bëjë një marrëveshje. Irani ka një mundësi për të bërë një marrëveshje. Ky është rezultati që presidenti do të preferonte”.
“Puna jonë është të ofrojmë opsione dhe ne do të kemi mundësi për presidentin nëse Irani vendos të mos bëjë një marrëveshje”, citohet të ketë thënë ai.
Ndërsa kur u pyet nëse sulmet ushtarake mbeten në shqyrtim, Hegseth tha “gjithçka është në tryezë”.
“Është vendimi i presidentit. Ne jemi këtu për të ndihmuar në sigurimin e arritjes së një marrëveshjeje. Dhe mendoj se Irani do të ishte i mençur të bënte një marrëveshje të mirë”, shtoi ai.
Më herët të hënën, Trump hodhi poshtë raportet e medias që thanë se Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, e këshilloi presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë se veprimi ushtarak në Iran mund të mbartë rreziqe të konsiderueshme dhe ta lërë SHBA-në të përfshirë në një konflikt të zgjatur në rajon.
Trump theksoi se çdo vendim në lidhje me veprimin ushtarak në fund të fundit do të varet nga ai.
Delegacionet nga Irani dhe SHBA-ja do të mblidhen përsëri në Gjenevë, Zvicër të enjten për të rifilluar diskutimet për një marrëveshje të mundshme bërthamore mes tensioneve në rritje rajonale dhe spekulimeve për një luftë të afërt. /Telegrafi/