Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për muajin e Ramazanit, fenë në përgjithësi, si dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Për muajin e Ramazanit, ai tha se përfitimet e tij janë të shumta, si dhe tregoi se për kë është obligim agjërimi.
“Çdo obligim fetar ka dy dimensione: i pari është që njeriu të ketë dobi të ndryshme; ndërsa dimensioni i dytë është ai shpirtëror. Me agjërim ne dëshmojmë se besimi ynë nu është vetëm teori. Çdo obligim ka dobi edhe në këtë jetë edhe në jetën tjetër. Por ajo që dëgjojmë edhe në aspektin shëndetësor që sa më pak njeriu të hajë dhe të pijë, aq më i shëndetshëm është. Ne agjërojmë sepse është urdhër i Zotit, por pastaj ka edhe përfitime shëndetësore, psikologjike, e shumë të tjera. Në muajin e Ramazanit ka zbritur Kurani famëlartë. Ka zbritur fjala dhe imperativi i parë për të lexuar, mësuar dhe studiuar. Prej ardhjes së këtij imperativi, u erdh fundi besëtytnive të kota dhe filloi epoka e hulumtimit dhe studimit shkencor, pasi Zoti na e bëri me dije që për ta njohur më mirë duhet të studiojmë”, tha Fetahu.
Sa i përket çështjes së ndihmës në Islam, ai tha se atij që i jepet ndihmë duhet të aftësohet për t’u përballur me sfidat e jetës, e jo të shndërrohet në parazit.
“Sipas Islamit gjithçka që jepet në baza humanitare, duhet që atij që i jepet të aftësohet që me mundin e tij të ballafaqohet me sfidat e jetës. Nëse ne e mësojmë skamnorin që është i shëndoshë t’i japim çdo vit, ne atë e bëjmë parazit. Sipas Islamit, kur jepet, duhet ta aftësojmë atë që ai të jetë i aftë ta nxjerrë bukën e gojës vet”, tha Fetahu.
Kurse në lidhje me fenë në jetën e njeriut, ai tha se “qëllim i njeriut është që të arrijë te Zoti”.
“Njeriu gjatë jetës ka qëllim të arrijë te Zoti, nëse nuk arrin te Zoti, ai nuk e arrin qëllimin e tij. Qëllimi i ardhjes në këtë botë është njohja e Zotit. Njeriu nuk është rastësisht i ardhur në këtë botë. Feja është ajo që njeriun e mëson të ruajë mendjen, shëndetin, trupin, familjen, shoqërinë dhe të jetë i dobishëm për njerëzimin”, theksoi Fetahu.
E pyetëm edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe si e sheh ai të ardhmen për ta, Fetahu theksoi se i sheh shqiptarët duke ecur përpara.
“Nga natyra jam optimist, shqiptarët i shoh duke ecur përpara. Sot edhe në sferën ekonomike, edhe atë shkencore, shqiptarët kanë formuar shtyllat e para të biznesit dhe ekonomisë, por edhe të shkencës dhe dijes. Sot shqiptarët kanë universitetet dhe shkollat e tyre, ndërsa në aspektin fetar kemi Medresetë tona, Fakultetin e Shkencave Islame. Kemi bërë struktura për të udhëhequr procese të ndryshme, qoftë ato fetare, politike apo shkencore. I vetmi problem që kemi për momentin është largimi nga atdheu. Edhe pse lëvizja nuk është diçka që ndalohet, por duhet që të mundohemi të kthehemi”, tha Fetahu./Telegrafi/