Një urë mbi të cilën kalon hekurudha që nga zona e Leposaviqit çon drejt kufirit me Serbinë është shndërruar në një nga pikat kryesore të kalimit ilegal të emigrantëve që përmes Kosovës kalojnë në Serbi.
Brenda vitit, persona nga vende të ndryshme të botës e përdorin këtë rrugë për të vazhduar migrimin drejt Europës.
Zona konsiderohet e vështirë për t’u kontrolluar.
Mungesa e komunikimit policor mes Kosovës dhe Serbisë e ka kthyer zonën në një hapësirë ku emigrantët, sipas burimeve hetimore, kalojnë pa shumë pengesa.
Sipas legjislacionit në fuqi, Policia mund të veprojë brenda territorit të Kosovës, por vepra penale konsumohet vetëm në momentin e kalimit në anën serbe.
Dosjet hetimore tregojnë se emigrantët sillen në zonë me taksi, furgonë apo autobusë, të organizuar paraprakisht. Ata vijnë nga drejtime të ndryshme – përmes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë apo përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në territorin serb, sipas hetimeve, i presin bashkëpunëtorë të tjerë të grupeve kriminale, të cilët më pas i dërgojnë drejt veriut, përfshirë zonën e Suboticës apo kufirin mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kroacisë.
Ekipi i “Kallxo Përnime” ka dokumentuar lëvizje të shpeshta në këtë zonë.
Përreth urës dhe tunelit hekurudhor gjenden ushqime, dokumente dhe sende personale të hedhura nga emigrantët para kalimit të kufirit.
Gjatë natës, në fshatin Jarinjë, hasen grupe që kërkojnë rrugëdalje ilegale, ndërsa udhëzimet për lëvizje jepen përmes telefonit nga persona që dyshohet se janë pjesë e rrjetit të kontrabandës.
Avdyl Sekiraqa, hetues i Policisë Kufitare, konfirmon vështirësitë në terren.
“Tek hekurudha e Leposaviqit, te tuneli, kemi arritur disa herë t’i ndalojmë emigrantët e parregullt, kryesisht të nacionalitetit jordanez. Por problemi është se nuk ka komunikim me palën serbe. Ne e kryejmë punën tonë brenda territorit tonë, por aty përfundon gjithçka. Pa bashkëpunim të mirëfilltë mes dy shteteve, nuk mund të luftohet kjo veprimtari” – tha ai.
Statistikat e vitit 2025 tregojnë se në Kosovë kanë hyrë rreth 6.100 shtetas nga Jordania, ndërsa rreth 35% e tyre nuk rezultojnë të kenë dalje nga territori.
Sipas Policisë Kufitare, kjo ngre dyshime se hyrja si turistë është keqpërdorur për emigrim të parregullt drejt vendeve të Bashkimi Europian apo Mbretërisë së Bashkuar.
Autoritetet vlerësojnë se Kosova mbetet vend transit në të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit”, e cila konsiderohet ndër më të lehtat për qarkullim drejt Perëndimit, por njëkohësisht ndër më fitimprurëset për rrjetet e kontrabandës.