Dueli Vardari – Bashkimi, solli gjithçka në fushë, ofendime, shharje, rrahje, karton të kuq dhe 18 minuta koë shtesë, që në fund Vardari të merr fitore me rezultat minimal 1-0, njofton Telegrafi.
Kjo ishte një nga ndeshjet derbi të javës së 19-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, një përballje me rivalitet të madh mes Vardarit dhe Bashkimi. Edhe pse vendasit dolën fitues me rezultat minimal 1-0, skuadra shqiptare nga Kumanova u tregua e denjë, ndërsa në disa momente të ndeshjes u shfaq edhe si ekip më i mirë në fushë.
Vardari, kampioni i vjeshtës dhe lider aktual në kampionat, e realizoi objektivin duke regjistruar fitoren e dhjetë radhazi, megjithatë përballë Bashkimit, fitorja nuk erdhi lehtë.
Vendasit e tundën rrjetën që në minutën e parë me anë të Zakariqit, por goli u anulua për pozitë jashtë loje pas konfirmimit nga VAR-i. Bashkimi reagoi në minutën e 15-të, kur Memeti u gjend në një situatë të mirë, por edhe ai u ndal për pozitë jashtë loje.
Skuadra nga Kumanova ishte e disiplinuar në mbrojtje dhe kërkonte rastin e saj në kundërsulm, duke mos lejuar hapësira të mëdha për kundërshtarin. Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa gola, në minutat shtesë erdhi momenti vendimtar: pas një pritjeje të portierit Jashar, topi i kthyer u shfrytëzua nga Stefan Cvetkoviq, i cili realizoi për 1-0, gol që në fund rezultoi vendimtar.
Megjithatë, ndeshja nuk kaloi pa tensione. Edhe kësaj radhe nuk munguan sharjet dhe fyerjet me bazë nacionale nga ana e tifozëve të Vardarit, “Komitët”, për çka pritet reagim dhe vendim nga Federata e Futbollit të Maqedonisë. Po ashtu, punë pritet të ketë edhe Komisioni Disiplinor, pasi kartoni i kuq për Rexhep Muratin pas protestave ndezi situatën, duke sjellë përplasje verbale dhe fizike mes stafeve dhe lojtarëve. Lojtarët e Bashkimit për disa minuta refuzuan të vazhdojnë ndeshjen në shenjë revolte.
Pavarësisht humbjes minimale, Bashkimi la përshtypje pozitive në këtë derbi, duke dëshmuar se mbetet një kundërshtar serioz në elitën e futbollit vendor. /Telegrafi/