Departamenti Amerikan i Shtetit ka dalë me një njoftim lidhur me takimin ndërmjet Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në njoftimin e DASH-it thuhet se sekretari amerikan e falënderoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Po ashtu, në njoftim thuhet se SHBA presin me padurim të punojnë me Qeverinë e re për të çuar përpara agjendën e përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sekretari falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. Shtetet e Bashkuara presin me padurim të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Departamenti amerikan.
Ndryshe, të premten presidentja Osmani pas takimit me Rubion në një postim në Facebook shkruan se me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.
“Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë. Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyçe për paqen e stabilitetin në rajon.
Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik.
Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, shkruan Osmani.
E për takimin me presidenten Osmani, ka shkruar edhe sekretari amerikan, Rubio.
Ai në platformën X shkruan se ka falënderuar Osmanin dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“U takova me presidenten Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre për paqen dhe stabilitetin duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Gjithashtu falënderova Presidenten Osmani për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza”, shkroi Rubio. /Telegrafi/