Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë një qasje të re ushtarake ndaj Iranit, e cila parashikon likuidime të synuara të figurave kyçe të regjimit në vend të ndërhyrjeve të gjera ushtarake.
Sipas burimeve brenda administratës amerikane, planet janë në fazë të avancuar dhe mund të aktivizohen në rast se dështojnë përpjekjet diplomatike mes dy vendeve.
Zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se opsionet përfshijnë goditje precize ndaj liderëve të strukturave ushtarake dhe të sigurisë iraniane, me qëllim dobësimin e kapaciteteve vendimmarrëse të Teheranit. Në skenarët e përgatitur nuk përjashtohet as mundësia e presionit për ndryshim regjimi, por pa një angazhim të madh të forcave tokësore amerikane, shkruan reuters.
Burimet theksojnë se çdo vendim përfundimtar do të varej nga urdhri i presidentit aktual, Donald Trump, i cili më herët ka ndjekur një politikë të ashpër ndaj Teheranit. Gjatë mandatit të tij të parë, SHBA realizoi një nga operacionet më të bujshme ushtarake në rajon – eliminimin e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani në vitin 2020, një veprim që rriti ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Qasja e re, sipas analistëve të sigurisë, frymëzohet nga taktikat e përdorura nga Izraeli kundër objektivave të lidhura me Iranin në rajon – operacione të shpejta, të sakta dhe me impakt strategjik, pa hyrë në konflikt të hapur dhe afatgjatë.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë nuk kanë specifikuar se cilat figura iraniane mund të jenë objektiva të mundshëm, as mënyrën konkrete të zbatimit të operacioneve. Megjithatë, burimet paralajmërojnë se përgatitjet ushtarake po zhvillohen paralelisht me përpjekjet diplomatike, duke lënë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të ri nëse negociatat dështojnë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet mes Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat mund të kenë pasoja të gjera për stabilitetin rajonal dhe global. /Telegrafi/