Në një kohë kur kompania teknologjike ofron miliona dollarë për të transformuar toka bujqësore në qendra të të dhënave për inteligjencën artificiale, një fermer 86-vjeçar nga Pennsylvania ka vendosur të mbrojë trashëgiminë e tij bujqësore.
Mervin Raudabo, i cili ka drejtuar fermat e tij për mbi 60 vjet, iu ofruan 60 mijë dollarë për çdo hektar tokë për të lejuar ndërtimin e një qendre të madhe të të dhënave. Pavarësisht ofertës së lartë që mund të sillte rreth 15 milionë dollarë të ardhura, ai refuzoi, duke theksuar rëndësinë e tokës dhe lidhjen personale me fermën.
“Unë kam punuar këtë tokë gjithë jetën time dhe nuk mund ta shoh ta shkatërrojnë për asnjë shumë parash”, tha Raudabo. Ai shtoi se toka nuk është thjesht një investim financiar, por një pjesë e historisë dhe jetës së familjes së tij.
Në vend të prishjes së tokës për zhvillime teknologjike, Raudabo vendosi të shesë të drejtat e zhvillimit te një fondi konservimi për 2 milionë dollarë. Kjo nënkupton se toka do të mbetet fermë përgjithmonë dhe nuk do të përdoret për ndonjë ndërtim komercial apo industrial.
Ekspertët e bujqësisë dhe konservimit e kanë përshëndetur vendimin e tij. “Ky është një shembull i rrallë i dikujt që vendos trashëgiminë kulturore dhe ekologjike mbi fitimin e menjëhershëm financiar”, tha një përfaqësues i fondit konservues që bleu të drejtat e zhvillimit.
Vendimi i Raudabos pasqyron një trend në rritje, ku fermerët po mbrojnë tokat e tyre nga zhvillimi intensiv urban dhe industrial, duke ruajtur kështu biodiversitetin dhe traditat bujqësore që kanë ekzistuar për dekada. /Telegrafi/