Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se programi bërthamor i vendit nuk mund të ndalet me mjete ushtarake, duke theksuar se kjo është provuar edhe më herët.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për programin bërthamor të Iranit. Kjo u testua vitin e kaluar dhe ata nuk arritën ta shkatërrojnë programin tonë bërthamor”, u shpreh ai.
Araghchi nënvizoi se Irani nuk i konsideron qytetarët amerikanë si armiq, por akuzoi politikat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara si armiqësore ndaj Teheranit.
“Ne nuk i konsiderojmë amerikanët si armiqtë tanë. Politikat e qeverisë amerikane janë ato që i shohim si armiqësore kundër Iranit”, pohoi ministri.
Ai shtoi se çdo ndryshim në marrëdhëniet mes dy vendeve do të varet nga ndalimi i këtyre politikave.
“Kur këto armiqësi të ndalojnë, atëherë ndoshta mund të shqyrtojmë një lloj tjetër marrëdhënieje”, përfundoi kryediplomati iranian.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Teheranit dhe Uashingtonit lidhur me programin bërthamor iranian dhe sanksionet ndërkombëtare. /Telegrafi/