Ministri i Financave nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, gjatë seancës plenare ku po shqyrtohet Projektbuxheti i vitit 2026, deklaroi se ky buxhet konsiderohet i përkohshëm dhe i karakterit emergjent.
Murati bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme komisioni ka shqyrtuar të gjitha amendamentet dhe rikujtoi se miratimi i këtij buxheti është i ngutshëm.
“Gjatë ditës së djeshme në komision kemi shqyrtuar të gjitha amendamentet dhe mund të rikonfirmoj atë që e tha edhe deputeti Besnik Tahiri”, tha ai.
“Siç kemi theksuar që në fillim, ky është një buxhet i përkohshëm emergjent”.
“Për këtë arsye, ne si Qeveri nuk i kemi dhënë hapësirë ministrive për të bërë ndryshime të gjera, duke marrë parasysh se nuk kemi shumë kohë për të realizuar modifikime të nevojshme dhe cilësore, në mënyrë që të mos shkaktojnë probleme gjatë zbatimit”, shtoi Murati.
Ai theksoi se prioritet mbetet miratimi urgjent i projektbuxhetit për të siguruar funksionimin normal të institucionit dhe shërbimeve publike. /Telegrafi/