Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka propozuar shkurtime të mëtejshme në projektbuxhetin e Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034, duke sugjeruar njëkohësisht burime të reja të të ardhurave për financimin e politikave të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e një takse digjitale.
Sipas propozimit të Costas, buxheti i përgjithshëm shtatëvjeçar do të reduktohej për 40 miliardë euro, duke arritur në 1.582 trilionë euro. Kjo shumë është 180.6 miliardë euro më e ulët krahasuar me propozimin fillestar të Komisionit Evropian, raporton Reuters, transmeton IndeksOnline.
Shkurtimet më të mëdha parashihen në Fondin për Konkurrueshmërinë Evropiane, i cili synon të forcojë industrinë evropiane në raport me konkurrencën nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Reduktimet prekin gjithashtu sektorin e mbrojtjes dhe shpenzimet për politikën e jashtme.
Ndërkohë, fondet për bujqësinë dhe kohezionin janë ruajtur në një masë më të madhe, krahasuar me kompromisin e propozuar më herët nga presidenca irlandeze e BE-së.
Megjithatë, propozimi i ri ka hasur në kundërshtime. Franca ka vlerësuar se shumat e parashikuara nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për fermerët, ndërsa kryenegociatori i Parlamentit Evropian për buxhetin, Siegfried Muresan, e ka cilësuar këtë propozim si një hap prapa.
“Ky propozim është i papranueshëm për Parlamentin dhe nuk mund të shërbejë si bazë për miratimin tonë. Buxheti i BE-së është një buxhet investimesh. Shkurtime, më shumë shkurtime dhe vetëm shkurtime nuk përbëjnë një strategji investimi”, deklaroi Muresan.
Buxheti shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028-2034 konsiderohet një instrument kyç për financimin e prioriteteve strategjike të unionit, përfshirë konkurrueshmërinë ekonomike, mbrojtjen, bujqësinë dhe zhvillimin rajonal. Propozimi i ri pritet të jetë pjesë e negociatave mes institucioneve evropiane, ku gjetja e një kompromisi do të jetë vendimtare për miratimin e tij.

