Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se nëse 14 amendamentet e propozuara nga partia e tij nuk pranohen, atëherë prezantimi dhe avancimi i buxhetit për vitin 2026 do të ishte thjesht një “mashtrim optik”.
Tahiri gjithashtu kritikoi Qeverinë “Kurti 3” për mënyrën e menaxhimit të projektligjit.
“Për buxhetin kemi diskutuar edhe në sesionin e kaluar, mirëpo qytetarëve të Kosovës dua t’u përcjell dy mesazhe nga AAK-ja. E para: ky buxhet, ashtu siç u tha në leximin e parë, është përgatitur në tetor dhe konsiderohet provizor. Kryeministri dhe ministri i Financave kanë premtuar se pas dy muajve do të bëhet një rishikim i madh i tij”, tha Tahiri.
Ai shtoi se nga gjithsej 86 amendamente, AAK-ja ka propozuar 14 dhe se reagimi i Qeverisë ndaj tyre do të tregojë seriozitetin e procesit.
“Nëse asnjë amendament i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk kalon në këtë seancë, atëherë leximi i buxhetit ka qenë mashtrim optik”, shtoi ai. /Telegrafi/