Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Raundi i fundit i bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës është shpërbërë në mënyrë dramatike. Pas një dite të plotë negociatash në Gjenevë, të martën, dhe një deklarate optimiste nga i dërguari i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, bisedimet zgjatën vetëm dy orë të mërkurën. Ndërsa të dyja palët u pajtuan për disa “çështje ushtarake”, si vendndodhja e vijës së frontit dhe protokollet e monitorimit të armëpushimit, ato nuk arritën të pajtojnë qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta mbi kufijtë territorialë.
Natyra e pazgjidhshme e këtyre negociatave shpesh konsiderohet si e dobishme për Rusinë. Brenda rrethit të ngushtë të Trumpit dhe në disa kryeqytete evropiane, ekziston një supozim mbizotërues se Rusia mund ta përballojë më gjatë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Ky vlerësim bazohet në perceptimin për vrullin ofensiv të Rusisë, avantazhet në fuqi punëtore dhe në armatim. Sipas kësaj logjike, Ukraina ose duhet t’i pranojë shpejt kushtet e padëshirueshme ose të rrezikojë një humbje shumë më katastrofike territoriale.
Kjo linjë mendimi është tepër pesimiste dhe bie ndesh me realitetet empirike. Në fakt, ka prova bindëse se koha është në anën e Ukrainës. Edhe pse Ukraina ka arritur pak suksese në fushëbetejë, që nga kundërofensiva e saj zhgënjyese e verës 2023, batica më në fund po shkon në favorin e saj.
Nga e mërkura deri të dielën e javës së kaluar, Ukraina rimori 201 kilometra katrorë territor në periferi të Zaporizhias. Këto fitore territoriale janë më të shpejtat nga ana e saj në dy vjet e gjysmë, dhe tejkalojnë vrullin ofensiv të Rusisë gjatë gjithë muajit dhjetor 2025.
Ndërsa shpejtësia e re e Ukrainës në fushëbetejë u nxit nga dobësimi i qasjes së Rusisë në sistemet e komunikimit Starlink, ai ka baza më të qëndrueshme. Sistemet e dronëve FPV [First Person View] me krahë të fiksuar të Ukrainës mund të godasin objektiva 30 kilometra pas vijave të frontit dhe të shmangin rrjetet e fortifikuara ruse të bllokimit elektronik.
Këto inovacione të FPV-ve e vështirësojnë avancimin e forcave ruse dhe ekspozojnë dobësitë e tankeve ruse që lëvizin ngadalë. Dërgesat e reja të armëve, si automjetet gjermane të luftimit të këmbësorisë, Lynx KF41 (IFV), e zbehin më tej avantazhin sasior të artilerisë ruse dhe rrisin mbrojtjen e ekuipazheve kundër luftës me dronë të Rusisë.
Përveç avantazheve logjistike dhe teknologjike të Ukrainës, teprica e pretenduar e Rusisë në fuqi punëtore nuk është ajo që duket. Deri në kohën kur pushtimi i Ukrainës nga Rusia të arrijë përvjetorin e katërt më 24 shkurt, 1.3 milionë burra rusë do të jenë vrarë ose plagosur në vijat e frontit. Vlerësimet ukrainase tregojnë se humbjet e Rusisë kanë tejkaluar rekrutimin për dy muaj radhazi.
Meqenëse presidenti Vladimir Putin dëshiron të shmangë shpalljen e një mobilizimi të plotë, këto humbje të paqëndrueshme po e detyrojnë Rusinë të rrisë varësinë e saj nga luftëtarët e huaj. Duke ofruar paga tërheqëse dhe garanci mashtruese se nuk do të përfshihen në luftime në vijën e frontit, Rusia ka rekrutuar mijëra kubanë, indianë dhe afrikanë për të luftuar në Ukrainë. Këta rekrutë i kanë mbushur boshllëqet në vijat e frontit, por trajtimi i tyre si mish për top ka njollosur imazhin e Rusisë te disa nga partnerët kryesorë të saj.
Meqenëse luftëtarët e huaj nuk përbëjnë një burim të qëndrueshëm personeli, Rusia është detyruar të ulë intensitetin e operacioneve të saj ushtarake në fillim të vitit 2026 për të reduktuar shkallën e humbjes të forcave njerëzore.
Dobësitë ekonomike të Rusisë po bëhen gjithashtu gjithnjë e më të dukshme. Për të zbutur rritjen e stagnuar të PBB-së, Banka Qendrore e Rusisë ka zbutur disi politikën e saj të ashpër kundër inflacionit dhe ka ulur normat e interesit në 15.5 për qind. Këto ulje do të përkeqësojnë krizën e kostos së jetesës në Rusi dhe do ta përhapin atë në qendrat e mëdha urbane.
Një hetim i fundit i BBC-së zbuloi se faturat e ushqimeve në Moskë janë rritur me më shumë se 20 për qind brenda një muaji. Pas viteve të izolimit relativ, lufta e pafundme e Putinit në Ukrainë më në fund po shkakton dëme të rënda ekonomike dhe po gërryen klasën e mesme urbane të Rusisë.
Rusia beson se, duke i zvarritur negociatat, mund t’i afrohet realizimit të ambicieve të saj maksimaliste në Ukrainë. Shumë udhëheqës perëndimorë e kanë pranuar gabimisht këtë logjikë. Statistikat sugjerojnë të kundërtën, dhe Ukraina ka karta të fuqishme për të luajtur ndërsa lufta hyn në vitin e saj të katërt. /Telegrafi/