Aktori amerikan, Eric Dane, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare pas një beteje të vështirë me sëmundjen ALS, konfirmoi familja e tij.
Ai la pas bashkëshorten Rebecca Gayheart dhe dy vajzat e tyre adoleshente.
ALS është një sëmundje e rëndë e sistemit nervor që dëmton qelizat që kontrollojnë lëvizjen e muskujve, duke çuar gradualisht në paralizë, shkruan DailyMail.
Dane e bëri publike diagnozën në prill, ndërsa në muajt pasues zbuloi se kishte humbur funksionin e krahut dhe dorës së djathtë dhe se ishte detyruar të përdorte karrige me rrota.
I lindur më 9 nëntor 1972, ai u zhvendos në Los Angeles në moshën 21-vjeçare për të ndjekur karrierën në aktrim.
U bë i njohur me rolet në “Grey’s Anatomy”, “Charmed” dhe më së fundmi në serialin “Euphoria”, ku luajti rolin e Cal Jacobs.
Karriera e tij përfshinte edhe role në filma si “Marley & Me”, “Burlesque” dhe “Valentine’s Day”.
Dane kishte folur hapur për betejën e tij shëndetësore, duke thënë se ishte mirënjohës për mbështetjen e familjes.
Bashkëshortja e tij kishte treguar se familja po përballej me situatën me ndihmën e terapistëve, duke u përpjekur ta kalonin këtë periudhë me dinjitet dhe shpresë. /Telegrafi/