Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të enjten Kosova ka ndier peshën e garancisë amerikane dhe ka falënderuar për këtë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane! Faleminderit, President Trump!”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Në një mbledhje të Bordit të Paqes, ku u diskutua parandalimi i konflikteve në botë, Trump i është drejtuar Osmani duke thënë se në rast të problemeve me Serbinë, SHBA-ja do të ndërhyjë për t’i zgjidhur ato.
Ai gjithashtu vlerësoi çështjen e Iranit si prioritet dhe shprehu shpresën për arritjen e një marrëveshjeje me këtë shtet.
Nga ky takim u bë e ditur se Kosova është ndër pesë shtetet e para që kanë zotuar të dërgojnë trupa paqeruajtëse në kuadër të një force ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë mbledhjes kërkoi nga SHBA-ja veprime ndaj të akuzuarve për krime lufte në Hagë. Po ashtu u njoftua ndarja e disa miliarda dollarëve për rindërtimin e Gazës pas përfundimit të konfliktit.