Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar në mënyrë unanime përfshirjen e buxhetit të Kryeqytetit në projekt-buxhetin për vitin 2026.
Sipas tij, vendimi është marrë me 10 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për Prishtinën dhe qytetarët e saj.
“Miratimi unanim siguron stabilitet financiar dhe krijon bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve zhvillimore që i kemi planifikuar për vitin e ardhshëm”, ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar se kjo i hap rrugë vazhdimit të investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të shërbimeve publike dhe realizimit të projekteve strategjike që synojnë rritjen e cilësisë së jetës në Kryeqytet.
Rama ka bërë të ditur se procesi është përmbyllur nga Komuna e Prishtinës me përkushtim dhe profesionalizëm, duke përgatitur dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me kërkesat ligjore.
Sipas tij, Prishtina do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe transparencë, me një vizion të qartë zhvillimor, duke u siguruar që çdo mjet buxhetor të kthehet në investim konkret për qytetarët./Telegrafi.