Nën një atmosferë të ngarkuar emocionesh dhe me mbështetje morale nga zyrtarë shtetërorë, familjarë e qytetarë të pranishëm në galeri, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhanë deklaratat e tyre përfundimtare në sallën e gjyqit në Hagë.
Seanca u zhvillua një ditë pas përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, çka i dha fjalimeve një dimension të veçantë historik dhe emocional.
Ekipet e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, dhanë argumentet e tyre të fundit mbrojtëse.
Ato përsëritën argumentet e tyre se Prokuroria nuk ka dëshmi për akuzat e ngritura, nuk ka arritur ta provojë fajësinë e tyre, prandaj kërkuan aktgjykim shfajësues.
Hashim Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nisi deklaratën e tij duke kujtuar 17 shkurtin dhe shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Dje në Kosovë u shënua Pavarësia e Republikës së Kosovës. Më 17 shkurt, duke ndjerë të rrahurat e stërgjyshërve tanë, shpallëm Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dëshiroj t’iu uroj qytetarëve Pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Thaçi theksoi se gjatë tri viteve të procesit gjyqësor janë dëgjuar akuzat e prokurorisë, por sipas tij, është vetëm një e vërtetë: “Unë jam plotësisht i pafajshëm”.
Ai shprehu bashkëndjenjë për të gjitha viktimat në Kosovë, pa dallim etnie, duke kujtuar se në fillim të vitit 1998 ishte student në Cyrih dhe jo pjesë e ndonjë plani për marrjen e pushtetit.
“I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milosheviq”, deklaroi ai.
Thaçi shtoi se ishte i përndjekur nga regjimi i Millosheviqit dhe se vendimi për t’u kthyer në Kosovë ishte i motivuar nga pamundësia për të qëndruar indiferent përballë masakrave.
“Për këtë jam krenar dhe nuk i bie pishman asnjëherë”, u shpreh ai, duke e cilësuar si ofendim përpjekjen për të njollosur luftën çlirimtare dhe bashkëpunimin me NATO.
Sipas tij, UÇK-ja ishte organizim popullor dhe jo shtet, ndërsa fitorja e Kosovës ishte politike dhe diplomatike.
Ai përmendi edhe Konferencën e Rambujesë, ku UÇK-ja ishte një nga tri palët përfaqësuese, dhe hodhi poshtë pretendimet për trafikim organesh, duke i cilësuar si propagandë ruse e serbe.
Kadri Veseli: Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet
Edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi: “Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet. Veprimet e mia kanë qenë ligjore. Jam me ndërgjegje të pastër”, deklaroi ai, duke shtuar se edhe në momentet më të errëta nuk e ka humbur besimin se e vërteta do të triumfojë.
Veseli foli për përvojën personale të jetës në persekutim dhe kërcënim të vazhdueshëm, duke theksuar se pas dekadash hetimesh nuk është dëshmuar asnjë veprim i kundërligjshëm nga ana e tij.
“Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë”, tha ai, duke shtuar se ishte kthyer në Kosovë si student, jo si ushtar i trajnuar, dhe me bindje për liri, jo me urrejtje.
Rexhep Selimi: UÇK-ja ishte ushtri çlirimtare
Ish-deputeti dhe një nga figurat e njohura të UÇK-së, Rexhep Selimi, tha se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që flet para këtij gjyqi.
“Lufta jonë ishte e drejtë dhe akuzat janë të pabazuara”, u shpreh ai, duke kërkuar nga trupi gjykues që të ushtrojë drejtësinë. Selimi theksoi se lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin e Serbisë dhe se UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja.
“Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë”, deklaroi ai.
Jakup Krasniqi: Qëndroj para jush jo si kriminel, por si njeri që luftoi për liri
Mes emocionesh, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, uroi qytetarët për 18-vjetorin e pavarësisë dhe tha se qëndron para trupit gjykues jo si kriminel, por si një njeri që kërkoi liri.
Ai foli për pesë vite burgim që i cilësoi të padrejta dhe për mohimin e të drejtës për të jetuar vitet e fundit të jetës pranë familjes dhe në atdhe.
“T’i kesh kaluar 16 vite në burg dhe të jesh privuar nga ajri i lirisë nuk është diçka e vogël”, tha Krasniqi, duke rikujtuar angazhimin e tij të hershëm kundër politikave gjenocidale të Serbisë.
Ai po ashtu tha se: “Drejtësia nuk mund të ndërtohet në gjuhën e ish shtypësve, por mbi të vërtetën”.
Kryegjykatësi Smith III e mbyllçështjen gjyqësore
Ndryshe, gjykatësi, Charles Smith III ka shpallur të përfunduar procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë, pas deklaratave përmbyllëse që ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi dhanë para trupit gjykues.
Kryegjykatësi bëri të ditur se në muajt në vijim do të mbajë kontakte me palët lidhur me caktimin e datës për shpalljen dhe rishikimin e aktgjykimit në këtë rast.
Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Sipas procedurave, trupi gjykues ka në dispozicion tre muaj për të marrë vendimin, ose mund të kërkojë shtyrje të afatit për shpalljen e tij. /Telegrafi/