Dy persona janë ndaluar dhe u është caktuar paraburgim afatshkurtër 48 orësh nën dyshimin për lidhshmëri me marihuanën e sekuestruar në Serbi. Sipas Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit personat kanë ndërmarrë aktivitete që lidhen me 5 tonë marihuanë, që sipas autoriteteve serbe e ka origjinën nga Maqedonia e Veriut.
“Si rezultat i veprimeve të ndërmarra dhe analizës së informacioneve dhe provave ekzistojnë dyshime të bazuara se personat kanë ndërmarrë aktivitete, të lidhura me 5 tonë marihuanë të sekuestruar në Republikën e Serbisë. Kërkesa për caktimin e paraburgimit afatshkurtër bëhet me qëllim të marrjes së vendimit përkatës për veprim të mëtejmë”, thonë nga Prokuroria.
Pas sekuestrimit në marihuanës në Serbi, në Maqedoninë e Veriut u sekuestruan 40 tonë marihuanë nga kompanitë e prodhimit të kanabisit mjekësor, ndërsa më pas nisën inspektimet e jashtëzakonshme. Ministria e Shëndetësisë nuk jep detaje për rrjedhën e kontrolleve.
“Në rrjedhë janë inspektimet e jashtëzakonshme në të gjitha subjektet juridike, të cilat po realizohen në bashkëpunim me MPB-në. Malmedin, Inspektoratin e Bujqësisë, Inspektoratin Shëndetësor dhe institucione të tjera kompetente. Në terren ndodhen edhe anëtarët e komisionit të Ministrisë së Shëndetësisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Serbi prokuroria më 29 janar sekuestroi pesë tonë marihuanë. U arrestuan 4 persona, njëri prej të cilëve bashkëpronar i kompanisë për prodhimin e kanabisit mjekësor Allfafarm në Shkup. Prokuroria e atjeshme pati njoftuar se marihuana në territorin e Serbisë kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut./Alsat/