Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka udhëtuar në Washington, D.C. për të marrë pjesë në Takimin Inaugurues të Bordit të Paqes, së bashku me disa liderë botërorë.
Sipas njoftimit të Presidencës, përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes si vend anëtar dhe bashkëthemelues vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit.
Presidentja Osmani ka theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe forcon pozicionin e saj në iniciativat globale për paqe dhe stabilitet.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Osmani.
Takimi inaugurues në Washington shënon nisjen formale të punës së këtij bordi, i cili synon të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për paqen dhe stabilitetin global. /Telegrafi/