KF Shkëndija nga Tetova vazhdon të shkruajë histori në skenën evropiane, duke dëshmuar nga ndeshja në ndeshje se është bërë një emër i respektuar në garat ndërkombëtare, njofton Telegrafi.
Arritja në Play-Off të UEFA Ligës së Konferencës, përbën një kapitull të ri të artë për klubin nga Tetova, që tashmë mban epitetin e ekipit të parë nga Maqedonia e Veriut që ka arritur në këtë fazë të garave evropiane. Një tjetër rast për të konfirmuar rritjen dhe ambicien e kuqezinjve përballë një kundërshtari cilësor nga Turqia, si Samsunspor.
Në këtë duel, Samsunspori vjen me trajnerin e ri gjerman Thorsten Fink, i cili mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Thomas Reis. Ndryshimi në pankinë pritet të sjellë risi taktike dhe një qasje të re nga skuadra turke, duke e bërë përballjen edhe më të paparashikueshme.
Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, ka potencuar se përgatitjet për këtë sfidë janë bërë me seriozitet maksimal, por ka theksuar se ndryshimi i trajnerit te kundërshtari e vështirëson analizën.
“Sa i përket përgatitjes së ndeshjes, pritet të ketë ndonjë ndryshim, me vetë faktin se skuadra turke ka ndryshuar trajnerin pikërisht në prag të këtij ballafaqimi. Kjo do të thotë se janë vështirësuar punët dhe ndryshimet janë të mundshme”, u shpreh Beqiri, duke nënvizuar se skuadra duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.
Nga ana tjetër, kapiteni Besart Ibraimi ka theksuar se atmosfera në kampin kuqezi është në nivel shumë të lartë.
“Atmosfera është shumë e mirë, sidomos pasi vijmë pas dy fitoreve në kampionat. Kjo na jep vetëbesim shtesë. Presim mbështetje të madhe nga publiku, sepse përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme për ne”, deklaroi Ibraimi.
Takimi do të zhvillohet nesër (e enjte 19 shkurt), në Arena “Todor Proeski” në Shkup, me fillim nga ora 21:00.
Drejtësinë në këtë përballje do ta ndajë gjyqtari kryesor Rohit Saggi, i asistuar nga Jorgen Valstadsve dhe Anders Dale, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Nygard. Në sistemin VAR do të jenë Hagenes si kryesor dhe Lien si asistent. /Telegrafi/