Trajneri portugez Jose Mourinho ka komentuar episodin e diskutueshëm që përfshiu Vinicius Jr. gjatë ndeshjes mes Real Madridit dhe Benficës, duke theksuar se festimi i brazilianit pas golit nuk ishte i duhuri.
“Vini duhej të shkonte dhe të festonte me bashkëlojtarët e tij, jo përballë 60 mijë njerëzve”, ka thënë fillimisht Mourinho.
Ai vlerësoi cilësitë e sulmuesit të Real Madridit, por theksoi se mënyra e festimit duhet të jetë më e përmbajtur.
“Është një lojtar i jashtëzakonshëm, e dua shumë. Por kur shënon një gol si ai, duhet të shkosh ta festosh me skuadrën”.
Mourinho shtoi se goli i Vinicius duhej të ishte momenti kryesor i ndeshjes, por polemikat pas festimit morën vëmendjen.
“Goli i Vini Jr duhej të ishte gjëja kryesore e ndeshjes. Por kur shënon një gol të tillë… duhet të festosh në mënyrë të respektueshme”.
Tekniku portugez foli edhe për akuzat për abuzim racor, duke theksuar se nuk dëshiron të mbajë anë mes palëve.
“Do të jem i pavarur, nuk do të them se besoj Prestiannin apo Vinin, sepse nuk isha aty. Prestianni e mohon, por nuk do të zgjedh një anë”.
Ai mbrojti gjithashtu historinë e Benficës, duke nënvizuar figurën legjendare të klubit.
“Legjenda më e madhe e këtij klubi është Eusebio. Ky klub nuk është racist.”
Në fund, Mourinho bëri të ditur se ka biseduar me të dy lojtarët.
“Kam folur me të dy, Vinicius më tha një gjë, ndërsa Prestianni një tjetër. Nuk dua të jem i njëanshëm ndaj tyre, por as nuk mund të besoj vetëm njërën palë”.
Vinicius Jr. u vërshëllye nga tifozët e Benficës pas festimit të tij me kërcim, ndërsa më pas u ndëshkua me karton të verdhë për mënyrën e festimit.
Sipas raportimeve, ai pretendon se më vonë u bë objekt i fyerjeve racore nga një lojtar i Benficës, akuza që është mohuar nga pala tjetër. /Telegrafi/