Futbollisti brazilian, Vinicius Junior, i cili ishte cak i një skandali të madh në ndeshjen e Ligës së Kampionëve midis Benficas dhe Real Madridit, foli pas ndeshjes në të cilën i solli fitoren ekipit të tij.
Vinicius shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të Realit jashtë fushe kundër Benficës në fazën play-off të Ligës së Kampionëve, dhe pas golit, ndeshja u ndërpre për shkak të një skandali racist.
Edhe pse në fillim u duk se fyerjet vinin nga tribunat, gjatë dhe pas ndeshjes lojtarët e Realit zbuluan se në fakt futbollisti i Benficas, Gianluca Prestianni, e kishte fyer Viniciusin në baza raciste.
Futbollisti brazilian përdori një deklaratë të ashpër në rrjetet sociale, në të cilën kritikoi si lojtarët që përdorin fyerje raciste, ashtu edhe ata që duhet t’i ndëshkojnë ata.
“Racistët janë, para së gjithash, frikacakë. Ata duhet të mbulojnë gojën me bluzë për të treguar sa të dobët janë. Por, ata kanë mbrojtjen e të tjerëve në anën e tyre, të cilët, teorikisht, janë të detyruar të ndëshkojnë”, shkroi Vinicius në rrjetet sociale, duke kritikuar gjyqtarët dhe UEFA-n.
“Asgjë që ndodhi sot nuk duhet të tolerohet në jetën time apo në jetën e familjes sime. Nuk më pëlqen ta vë veten në qendër të vëmendjes në situata të tilla, veçanërisht pas një fitoreje të madhe kur titujt kryesorë duhet të jenë për Real Madridin, por kjo është e nevojshme”, shtoi braziliani.
Vinicius vrapoi te gjyqtari Francois Letexier dhe i tha, pasi i tregoi një karton të verdhë për festimin e një goli, se argjentinasi e quajti “mono”, që në spanjisht do të thotë majmun.
“Është e neveritshme. Ajo që ndodhi sonte është një turp për futbollin. Ia shkatërroi natën ekipit”, tha Trent Alexander-Arnold pas ndeshjes, ndërsa Kylian Mbappe kërkoi që Prestiani të pezullohej këtë edicion nga Liga e Kampionëve. /Telegrafi/