Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, ka folur para fillimit të seancës së radhës në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar këtë fazë si jashtëzakonisht të rëndësishme.
Ajo theksoi se procesi ka peshë të madhe jo vetëm për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për gjithë qytetarët, duke përsëritur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe në përputhje me të drejtën e popullit për liri.
“Është një proces shumë i rëndësishëm, jo vetëm për katërshen e UÇK-së, por për të gjithë ne. Dihet që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe në të drejtën e popullit. Të gjithë bashkë jemi këtu që t’i dalim në mbështetje katërshes së UÇK-së dhe trupi gjykues të jetë në të drejtën e tyre, në të drejtën tonë”, tha ajo para mediave.
Procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka hyrë në fazën përmbyllëse, ku pritet që të akuzuarit të japin deklaratat e fundit në mbrojtje para trupit gjykues, përpara shpalljes së vendimit përfundimtar.
Ndryshe, gazetarja e Telegrafit, Elfije Boletini-Bejtullahu, ndodhet në Hagë për ta përcjell procesin gjyqësor dhe do t’iu mbajë të informuar në kohë reale./Telegrafi/