Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë u përcoll me emocione të shumta, veçanërisht për familjarët që nuk patën mundësi ta takonin gjatë qëndrimit të tij.
Gazetarja Endrita Bajrami, e ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ka rrëfyer detaje nga vizita e Krasniqit dhe momentet e përjetuara gjatë largimit të tij drejt Hagës.
Ajo bëri të ditur se gjatë katër ditëve në Kosovë, Krasniqi kishte arritur të takonte vetëm bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa vëllai i tij, Daut Krasniqi, kishte shprehur dëshirën e madhe për ta takuar që nga ardhja e tij nga Haga.
“Sot, gjatë vizitës së fundit, kemi vërejtur një përshëndetje nga ai për familjarët që nuk arriti t’i takonte. Në momentin kur ka dalë dhe ka vazhduar drejt shtëpisë, i ka përshëndetur përsëri dhe është futur brenda. Njëjtë ka vepruar edhe kur ka dalë për t’u nisur drejt aeroportit, për t’u kthyer në Hagë.
E kemi parë vëllain e tij, ku kanë qenë vetëm disa metra larg njëri-tjetrit dhe e ka pasur përballë.”, tregoi Bajrami.
Gazetarja rrëfeu se gjatë përshëndetjes së fundit, Krasniqi kishte përshëndetur edhe familjarët që nuk arriti t'i takonte.
Një tjetër moment emocional, sipas Bajramit, ishte mbështetja e mbesave të Krasniqit, të cilat gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë brohoritën: “Forca baca Jakup, qëndro i fortë”.
Gjatë vizitës, sipas Bajramit, ka pasur edhe një incident të vogël mes familjarëve të Jakup Krasniqit dhe pjesëtarëve të EULEX-it.
“Ka qenë një familjar i zotit Krasniqi që po priste dhe kemi parë një ushtar të EULEX-it duke ia drejtuar armën. Arma ishte drejtuar nga një familjar i zotit Krasniqi. Sipas personit, të cilit i ishte thënë të hynte brenda, ai kishte deklaruar se gjithçka ishte në rregull. Mirëpo, pjesëtari i EULEX-it i ishte përgjigjur se nuk ishte në rregull, më pas ishte ndaluar dhe kishte hyrë brenda”, ka rrëfyer Bajrami.
Detajet mund t'i gjeni në videon e mëposhtme:

