Luciano Spalletti foli për Sky Sport pas humbjes zhgënjyese 5-2 të Juventus në udhëtim ndaj Galatasaray në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve.
Zonja e Vjetër pësoi debakël në Stamboll dhe tani i duhet një mrekulli në Torino për të kaluar tutje.
Spalleti foli për gabimet që bëri skuadra e tij, zëvendësimin e Cambiasos, por edhe për ndeshjen kthyese.
Ndeshja
“E mbyllëm pjesën e parë dobët. U përpoqëm të rivendosnim pak rregull, por personaliteti dhe karakteri ynë ranë. Nuk bëmë një hap, por tre hapa prapa.”
Zëvendësimi i Cambiasos
“Meqenëse ai mori një karton të verdhë, kishte marrë një rrezik që në pjesën e parë. Në ndeshje si këto është e rëndësishme t’i menaxhosh situata të tilla, por ne e paguam çmimin pas njëzet minutash në pjesën e dytë. Kartoni i dytë i verdhë na krijoi vështirësi dhe më pas bëmë gabime duke mos e kuptuar sa e rrezikshme ishte ajo që po bënim”.
Gabimi i Kelly-t
“Gjithmonë dua të luaj në situata normale, por kur ka rrezik ekstrem, topi duhet larguar. Nuk e kuptoj idenë e të luajturit gjithmonë me topin brenda fushës. Sigurisht që ai duhej ta largonte, sepse ndonjëherë duhet të lehtësosh presionin. Me inferioritet numerik është një situatë shumë e vështirë dhe pas kësaj gjithçka u bë edhe më e komplikuar. Thelbi është se kemi bërë hapa prapa në disa aspekte.”
Tre gola që e bëjnë rikthimin të vështirë
“Po përpiqemi të reagojmë, por është e qartë se duhet të marrim përgjegjësi për atë që ndodhi dhe për mënyrën si luajtëm. Në disa momente bëmë gjëra të mira, por në nivel individual nuk jemi ende në formën më të mirë. Sonte kontribuuam vetë për t’i përkeqësuar gjërat. Kartoni i kuq e bën gjithmonë ndeshjen shumë më të vështirë”, tha Spalletti.