Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovë, platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka realizuar një aktivitet simbolik në Prishtinë, duke projektuar në objektin e Presidencës së Kosovës imazhin me sloganin: “Dita e Pavarësisë – Ende duke mbrojtur lirinë tonë”.
Imazhi i projektuar paraqet figurat e ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ndërsa mesazhi theksonte se mbrojtja e lirisë vazhdon edhe sot, 26 vjet pas çlirimit dhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë.
Tasholli u shpreh se përvjetori i Pavarësisë është një ditë feste, por edhe reflektimi.
“Sot festojmë Pavarësinë, por njëkohësisht kujtojmë se liria jonë po mbrohet sërish. 26 vjet pas çlirimit dhe 18 vjet pas pavarësisë, çlirimtarët tanë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me drejtësinë në Hagë. Ne besojmë në drejtësi, por kërkojmë që ajo të jetë e paanshme dhe e drejtë”, ka deklaruar ai.
Sipas organizatorëve, slogani “Ende duke mbrojtur lirinë tonë” simbolizon bindjen se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe se mbrojtja e dinjitetit të saj mbetet obligim qytetar dhe kombëtar.
Po ashtu, gjatë ditës në Prishtinë u organizua edhe marshi “Drejtësi, jo politikë”, i cilësuar si më i madhi në historinë e Kosovës së lirë.
Sipas organizatorëve, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marsh, duke mbushur sheshet e kryeqytetit dhe duke dërguar mesazhin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare. /Telegrafi/