Skuadra e Bashkimit nga Kumanova ka marrë fitore të rëndësishme para tifozëve të vet, duke mposhtur Pelisterin me rezultat minimal 1-0 (1-0), në kuadër të javës së 18-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Për ekipin nga Manastiri kjo ishte humbja e parë pas gjashtë xhirove pa disfatë, ndërsa për kumonovarët tre pikë me peshë në luftën për pozitat e mesit të tabelës, njofton Telegrafi.
Të dy trajnerët u treguan të kujdesshëm dhe loja u zhvillua kryesisht në mesfushë, pa rrezik konkret për rreth gjysmë ore. Por nga rasti i parë serioz, Bashkimi gjeti golin. Në minutën e 38-të, pas një goditjeje nga këndi të kapitenit Aliti, më i larti në kërcim ishte Sumer Hasan, i cili realizoi për 1-0 dhe ndezi atmosferën në stadium.
Të dy ekipet kryen disa zëvendësime, me Pelisterin që rriti presionin në kërkim të barazimit. Megjithatë, Bashkimi u tregua i disiplinuar në mbrojtje, duke administruar epërsinë dhe duke i lënë mysafirët pa hapësira të qarta.
Rastet nuk munguan në minutat e fundit. Ivanovski pati një mundësi të mirë, ndërsa Kerim goditi edhe shtyllën pas një goditjeje nga jashtë zonës. Pelisteri u përpoq deri në fund, por konkretizimi mungoi. Koha punonte në favor të Bashkimit, që arriti ta mbyllë takimin me fitore minimale 1-0.
Pas kësaj fitoreje, Bashkimi shkon në 26 pikë dhe mbetet në pozitën e pestë, ndërsa Pelisteri mbetet në zonën e rrezikut me 19 pikë. Në javën e ardhshme, Bashkimi do të ketë një udhëtim të vështirë ndaj Vardarit në Shkup, ndërsa Pelisteri pret Strugën në shtëpi.
Me këtë ndeshje është mbyllur java e 18-të, e cila prodhoi këto rezultate:
Bashkimi – Pelisteri 1:0
Arsimi – AP Brera 0:2
Makedonija Gj.P – Shkupi 3:0
Struga – Sileksi 2:3
Rabotniçki – Vardari 0:3
Tikveshi – Shkëndija 1:4