Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) vazhdojnë të mbeten një shqetësim i rëndësishëm për shëndetin publik në Kosovë.
Më 16 shkurt 2026, në Hotel Sirius në Prishtinë, Action for Mothers and Children (AMC) organizoi tryezën e rrumbullakët me temë “Ngritja e vetëdijes dhe menaxhimi i IST-ve në Kosovë”, duke mbledhur profesionistë shëndetësorë, politikëbërës dhe përfaqësues të komunitetit.
Gjatë tryezës u prezantua përmbledhja e politikave e AMC-së mbi gjendjen e IST-ve në Kosovë, si dhe u diskutuan hapa konkretë dhe të koordinuar për uljen e transmetimit të tyre. Diskutimi theksoi rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit publik, përmirësimit të qasjes në testim dhe trajtim, si dhe forcimit të bashkëpunimit institucional për të adresuar këtë çështje.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin:
- Përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, përfshirë Dr. Merita Vuthaj, Drejtore për Shëndetin Publik dhe Dr. Shaban Osmanaj, Udhëheqës i Divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor;
- Dr. Florie Miftari Bashkolli, Departamenti i Mjekësisë Sociale – IKSHPK;
- Dr. Afërdita Kurti Meta, Departamenti i Mikrobiologjisë – IKSHPK;
- Dr. Luljeta Gashi, Departamenti i Epidemiologjisë – IKSHPK;
- Vlera Rexha, përfaqësuese e CFLI-së;
- Dr. Vjollca Zeqiri, Specialiste e Mjekësisë Familjare, QKMF Prishtinë.
Kjo tryezë u organizua në kuadër të bashkëpunimit të AMC-së me Canada Fund for Local Initiatives (CFLI), përmes të cilit janë arritur rezultate të rëndësishme, përfshirë:
- Hartimin dhe shpërndarjen e një videoje dhe broshure edukative për rritjen e ndërgjegjësimit mbi IST-të dhe rëndësinë e testimit;
- Sigurimin dhe shpërndarjen e prezervativëve përmes Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në lokacione të tjera komunitare;
- Zbatimin e një fushate informuese në rrjetet sociale për promovimin e ndërgjegjësimit dhe testimit për IST;
- Ofrimin e trajnimeve të specializuara për IST për profesionistët shëndetësorë në 18 Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas;
- Zhvillimin e sesioneve edukative mbi IST për gra dhe adoleshentë.
Gjatë diskutimit, Rina Demiri Spahija, Drejtore Ekzekutive në Action for Mothers and Children (AMC), u shpreh: “Kjo tryezë e rrumbullakët shënon përmbylljen e një angazhimi dyvjeçar të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë (AMC) në partneritet me Canada Fund for Local Initiatives (CFLI), i cili ka qëndruar pranë të rinjve, grave dhe familjeve në Kosovë përmes ofrimit të informatave të bazuara në fakte, hartimit të përmbledhjeve të politikave në nivel lokal dhe qendror për IST-të, si dhe sigurimit të mjeteve mbrojtëse për komunitetin. AMC do të vazhdojë të punojë në reduktimin e stigmatizimit rreth IST-ve dhe në fuqizimin e komunitetit me informata të sakta dhe të besueshme.”
Dr. Afërdita Kurti Meta theksoi: “Rezistenca antimikrobike në infeksionet seksualisht të transmetueshme paraqet një emergjencë globale në rritje, veçanërisht në rastin e Neisseria gonorrhoeae, e cila ka zhvilluar rezistencë ndaj penicilinave, tetraciklinave dhe fluorokinoloneve, ndërsa së fundmi shqetësuese është edhe rritja e rezistencës ndaj cefalosporinave të gjeneratës së tretë. Prandaj, ruajtja e kulturës si metodë diagnostike mbetet thelbësore për kryerjen e antibiogramit, identifikimin e shtameve rezistente dhe pjesëmarrjen në programet kombëtare dhe ndërkombëtare si Euro-GASP dhe ECDC për mbikëqyrjen e rezistencës antimikrobike. Diagnostikimi i saktë laboratorik dhe mbikëqyrja e vazhdueshme janë shtyllat kryesore për menaxhimin efektiv të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.”
Përmes këtij projekti, të zbatuar nga AMC me mbështetjen financiare të CFLI-së, palët po punojnë së bashku për të reduktuar përhapjen e IST-ve, për të përmirësuar shëndetin seksual, për të luftuar stigmën dhe për të siguruar që qytetarët në të gjithë Kosovën të kenë njohuritë, mjetet dhe shërbimet e nevojshme për të mbrojtur shëndetin e tyre.
Action for Mothers and Children (AMC) është një organizatë jofitimprurëse që punon për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e foshnjave, nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës.
AMC avokon për kujdes shëndetësor më të mirë përmes edukimit, mbledhjes së fondeve dhe hulumtimit. Për më shumë informata, vizitoni www.amchealth.org.