Christy Turlington e madhështoi revynë e Michael Kors në Javën e Modës në Nju Jork. Supermodelja e famshme shkëlqeu me një krijim elegant dhe mbajti një “orë” finesë
Javën e Modës në Nju Jork e zbukuroi edhe një zonjë, paraqitja e së cilës ishte një surprizë e vërtetë – dhe më shumë se e bukur. Në entuziazmin e përgjithshëm të botës së modës, por edhe të publikut më të gjerë, Christy Turlington parakaloi në revynë e Michael Kors, duke e kthyer për një çast Operën e famshme Metropolitane, në hollin e së cilës u zhvillua gjithçka, në një vend si nga përrallat. Kështu duket kur një nga supermodelet origjinale mban “orë” stili!
Si në ëndërr… Ndërsa zbriste me hijeshi shkallët e kuqe, pothuajse duke “fluturuar” mes parmakëve të bardhë prej mermeri të ndërtesës së Operës, pjesë e kompleksit “Lincoln Center”, nën tingujt e përzgjedhur me kujdes të muzikës klasike, koha dukej sikur ndaloi. Christy Turlington, si një gjysmëperëndeshë apo një qenie e dalë nga një botë tjetër, me një krijim elegant të zi, magjepsi të ftuarit e revysë glamuroze, e cila ishte e veçantë edhe për faktin se Michael Kors me të shënoi 45 vjet krijimtari.
E rafinuar, fisnike, nga viti në vit gjithnjë e më e bukur… Klas. Komplimentet që nga mbrëmja e djeshme nuk kanë të ndalur, duke dëshmuar se krijuesi i njohur amerikan nuk gaboi (si do të mundte?) kur angazhoi mjeshtren e profesionit të saj. Supermodelja e famshme solli një energji të veçantë në pasarelën e improvizuar dhe te shumëkush, me të drejtë dhe plotësisht e kuptueshme, zgjoi nostalgjinë për kohët e arta të modës, transmeton Telegrafi.
Në korrik, Christy Turlington do të festojë katër dekada që nga kopertina e saj e parë në Vogue. Duke e parë kaq të bukur, joshëse dhe thjesht magjike, as vetë nuk mund ta besojmë se tashmë ka aq vite. E megjithatë, kanë kaluar edhe më shumë që kur u shfaq për herë të parë në botën e modës.
Një nga gratë e rralla të njohura që i rezistuan “terrorit” të rinisë së përjetshme, përkatësisht korrigjimeve estetike, dhe vendosën të plaken natyrshëm e me dinjitet, ajo mbetet ende shumë e kërkuar në industri. Së fundmi është bërë edhe fytyra e perandorisë kozmetike “Lancôme”. “Optimizmi është zgjedhje”, porosit ajo në fushatë, e buzëqeshur dhe kurrë më e bukur. /Telegrafi/