Benjamin Sesko ka folur hapur për rrugëtimin e tij të pazakontë drejt shndërrimit në një sulmues, duke zbuluar në episodin më të fundit të “Inside Carrington” të Manchester United se karrierën e futbollit e nisi si portier, përpara se të ndryshonte pozicion nga mërzia.
Sulmuesi slloven, i cili u aktivizua nga stoli për të shënuar golin e barazimit në minutat shtesë në barazimin 1-1 ndaj Ëest Ham United të martën, rrëfeu zhvillimin e tij nga portier në qendërmbrojtës dhe më pas në vijën e sulmit.
“Fillova si portier, kur isha shumë i vogël. Por më pas, në një ndeshje, më kujtohet që pashë babanë tim në mes të lojës dhe i thashë: ‘Babi, kjo është shumë e mërzitshme. Nuk kam asgjë për të bërë në portë’”, tha Sesko.
“Ishte e vështirë për mua të shihja shokët e skuadrës që luanin përpara dhe nuk arrinin të shënonin. Kishte edhe raste kur isha portier, merrja topin, përshkoja gjithë fushën dhe pastaj shënoja gol”.
“Ishte një rrugëtim shumë i bukur. Pastaj nisa të luaja si qendërmbrojtës dhe më pas kalova si sulmues”, deklaroi ai.
22-vjeçari realizoi me një goditje të menjëhershme në kohën shtesë ndaj West Hamit, duke siguruar një pikë të vlefshme për skuadrën e drejtuar nga Michael Carrick dhe duke e zgjatur serinë pa humbje në pesë ndeshje./Telegrafi/