Pas mesjavës që hapi gjysmësezonin pranveror në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, skuadrat rikthehen sërish në fushë për ndeshjet e javës së 18-të, me vëmendje të veçantë te Shkëndija dhe Struga që kërkojnë pikë në garën për titull, njofton Telegrafi.
Java e 17-të solli rezultate të ndryshme për skuadrat shqiptare. Derbi mes Shkëndija dhe Strugës që u mbyll me fitore 2-0 për tetovarët, të cilët e nisën pranverën me tre pikë të arta dhe një sinjal të qartë për rivalët në garën për kreun. Struga, nga ana tjetër, do të kërkojë reagim të menjëhershëm pas këtij hapi fals.
Barazim pa gola regjistroi Bashkimi në transfertë ndaj Sileksit (0-0). Krejt ndryshe shkuan gjërat për Arsimin, që u mund thellë nga Vardari me rezultat 5-1. Goditjen më të rëndë e pësoi FC Shkupi, që në shtëpi u mposht 0-6 nga Tikveshi.
Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e javës së 18-të, ku ekipet shqiptare kanë përballje mjaft interesante. Të shtunën (14 shkurt, 13:00), Shkëndija udhëton në Kavadar te Tikveshi. Tetovarët synojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive dhe konfirmimin e formës së mirë pas fitores në derbi. Të shtunën (15 shkurt, 14:00), Struga pret Sileksin në një duel ku kërkojnë rikthimin te fitorja. Të dielën (16 shkurt, 13:00), Shkupi përballet në transfertë me Makedonija Gj.P., dy ekipet që janë në fund të tabelës. Po të dielën (16 shkurt, 14:00), Arsimi do të ketë përballë AP Breran, me synimin për të lënë pas disfatën e rëndë dhe për të rikthyer besimin në skuadër.
Të hënën (17 shkurt, 14:00), Bashkimi pret Pelisterin, që në javën e kaluar fitoi bindshëm 4-1 ndaj Rabotniçkit. Kumanovarët do të kërkojnë maksimumin para tifozëve të tyre për të mbajtur hapin në mesin e artë të tabelës. /Telegrafi/