Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka dhënë një përgjigje të ftohtë dhe ironike kur u pyet për humbjen 4-0 të Barcelona ndaj Atletico Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Tekniku madrilen nuk pranoi të komentojë shumë mbi disfatën e rivalit të përjetshëm, duke zgjedhur një përgjigje të shkurtër, por plot thumb.
“Ndeshja e Barçës? Nuk kam asgjë për të thënë, pyesni Barcelonën dhe Flickun”, deklaroi Arbeloa.
Deklarata e tij vjen si kundërpërgjigje ndaj asaj që kishte thënë më herët trajneri i Barcelonës, Hansi Flick. Para përballjes me Atleticon, gjermani ishte pyetur nëse Barcelona kishte pasur një rrugëtim relativisht të lehtë në Kupën e Mbretit.
“Pyesni Real Madridin”, ishte përgjigjur Flick, duke lënë të kuptohet se kritikat apo krahasimet duhet t’i drejtoheshin rivalit.
Kështu, pas humbjes së thellë 4-0 në Madrid, Arbeloa nuk humbi rastin për ta kthyer përgjigjen në të njëjtën mënyrë, duke shtuar edhe më shumë tension në rivalitetin e përhershëm mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll.
Ndërkohë, dy gjigantët spanjollë po luftojnë edhe për titull në La Liga, ku katalunasit janë 1 pikë para./Telegrafi