Kur trupi juaj ka etje, ai ka nevojë për ujë. Megjithatë, kjo nuk vlen për lëkurën e thatë dhe të etur. Ne zakonisht mendojmë se pirja e shumë ujit mund të shërojë lëkurën e thatë, por e vërteta është se kjo nuk është efektive.
Një person me hidratim normal ndoshta nuk do të shohë ndryshim në lëkurën e tij pas pirjes së sasisë së shtuar të ujit. Pirja e tepërt e ujit mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore dhe nuk rekomandohet (as nuk është efektive) për lëkurën e thatë.
Lëkura e thatë është një problem i jashtëm dhe trajtohet më së miri nga jashtë. Faktorët e jashtëm, si produktet për pastrim, mjedisi dhe gjëndrat e vajit, përcaktojnë sa e thatë është ose do të bëhet lëkura juaj.
Çfarë e shkakton lëkurën e thatë
Në përgjithësi, çdo gjë që shkakton humbje uji dhe redukton funksionin mbrojtës të shtresës së sipërme të lëkurës, mund të shkaktojë ndjesinë e lëkurës së thatë. Ekspozimi ndaj irrituesve të jashtëm si kimikatet, tretësit, detergjentët dhe uji i tepërt mund të bëjnë lëkurën të thatë.
Gjithashtu, aromat si parfumi, larjet ose noti i shpeshtë, dhe disa kushte të motit mund të thajnë lëkurën. Lagështia e ulët, ajri i ftohtë dhe erërat e thata janë tharëse për lëkurën. Zakonisht e shohim lëkurën e thatë gjatë dimrit, kur të gjithë këta faktorë ndikojnë së bashku.
Mënyra të tjera për të trajtuar ose parandaluar lëkurën e thatë përfshijnë:
Kufizoni kohën e larjes në rreth 10 minuta një herë në ditë dhe përdorni ujë të ngrohtë në vend të ujit shumë të nxehtë, i cili i merr lëkurës lagështinë;
Gjatë muajve të dimrit, aplikoni hidratues tek duart dhe këmbët dhe vendosni doreza para se të dilni jashtë;
Për këmbë shumë të thata, aplikoni hidratues natën dhe flini me çorape pambuku;
Përdorni hidratues facial që janë të prodhuar vetëm për fytyrën. Hidratuesit e trupit me vajra mund të shkaktojnë akne dhe infeksione të folikulave të flokëve (folikulit);
Shmangni irrituesit sa më shumë që të jetë e mundur. Ata që punojnë me produkte irrituese mund të mbrojnë lëkurën duke aplikuar hidratues dhe duke veshur rroba mbrojtëse;
Pas notit, lajeni trupin për të hequr kimikatet e mbetura nga pishina dhe më pas aplikoni hidratues;
Vishni doreza kur lani enët.