Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih – Munich Security Conference 2026 (MSC).
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media, ku ndër të tjera thuhet e krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih – Munich Security Conference 2026 (MSC). Krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC, kryeministri gjithashtu do të ketë edhe takime bilaterale në margjina të konferencës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ishte ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka anuluar pjesëmarrjen e saj për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme në vend.
Këshilltari për Media i Presidencës, Bekim Kupina, ka theksuar se Presidentja është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve për ftesën.
“Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, ajo ka vendosur të mos marrë pjesë këtë vit”, ka thënë Kupina.
Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe vendet e rajonit. /Telegrafi/