Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se Goce Naumovski, i cili është këshilltar i jashtëm i kryeministrit Mickoski për çështje ligjore, është propozuar për gjyqtar të ri kushtetues që pritet të votohet së shpejti.
Nga LSDM thonë se Goce Naumovski është vëllai i ish-zëvendëskryeministrit për Integrimin Evropian nga OBRM-PDUKM, Vasko Naumovski, gjë që sipas LSDM-së, konfirmon edhe një herë marrëdhëniet dhe ndikimet politike.
“Qeveria merr gjyqësorin dhe prokurorinë nën kontrollin e saj të plotë. Ata ndryshuan prokurorin publik dhe zgjedhjen e planifikuar të një prokurori nën kontrollin e tyre. Ata emëruan gruan e një kryetari komune nga OBRM-PDUKM si anëtare të Këshillit Gjyqësor. Tani këshilltare e Mickoskit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Mickoski nga foltorja parlamentare u cakton detyra dhe u tregon se çfarë dhe si të punojnë”.
“Ata sjellin ligje për gjyqësorin që janë në kundërshtim me rekomandimet e BE-së. Partizanalizim total i shtetit, gjyqësor i kontrolluar nga partia, gjyqtarë dhe prokurorë nga fletoret. Njësoj si në kohën e Nikola Gruevskit. Pason një varrim i plotë i drejtësisë dhe i sundimit të ligjit”, thonë nga LSDM.