Arsenali ka gabuar në ndeshjen e fundit të javës së 26-të, duke barazuar 1-1 ndaj Brentfordit në një përballje mjaft të luftuar.
“Topçinjtë” humbën dy pikë të vlefshme dhe tashmë mbeten vetëm katër pikë përpara Manchester Cityt, duke e bërë garën për titull plotësisht të hapur.
Brentfordi rrezikoi seriozisht në minutën e 22-të, kur Igor Thiago goditi me kokë, por David Raya reagoi shkëlqyeshëm duke shpëtuar portën e Arsenalit.
Nga ana tjetër, londinezët kërkuan penallti në minutën e 38-të pas një rrëzimi të Noni Maduekes, por gjyqtari lejoi lojën të vazhdojë.
Pjesa e dytë nisi me ndryshime nga Mikel Arteta, i cili hodhi në fushë Martin Odegaardin. Presioni i Arsenalit u konkretizua në minutën e 61-të.
Piero Hincapie dërgoi një krosim të saktë në zonë dhe Noni Madueke realizoi me kokë nga afërsia për 0-1.
Megjithatë, Brentfordi nuk u dorëzua. Pas disa rasteve të mira, përfshirë një tentativë të rrezikshme të Igor Thiagos që u ndal nga Raya, vendasit barazuan në minutën e 71-të.
Një rivënie e gjatë anësore u devijua nga Sepp van den Berg dhe Keane Lewis-Potter shtyu topin në rrjetë nga afërsia për 1-1.
Në minutat e fundit pati emocione nga të dyja anët. Igor Thiago ishte shumë pranë golit të fitores, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.
Në fund, ndeshja u mbyll 1-1, një rezultat që i kushton Arsenalit në luftën për titull. Me diferencën që tashmë është vetëm katër pikë nga Manchester City, kampionati mbetet plotësisht i hapur dhe çdo gabim mund të jetë vendimtar në javët e fundit. /Telegrafi/