Nënkryetari i deriitashëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të partisë, pas vendimit të Ramush Haradinajt për të mos vazhduar më në krye të AAK-së. Gjini theksoi se dyert janë të hapura edhe për kandidatura të tjera gjatë periudhës tre mujore të procesit zgjedhor dhe shprehu mirënjohjen për udhëheqjen e Haradinajt që nga themelimi i partisë.
Kandidati i ri për kryetar të AAK-së, Ardian Gjini tha se gjatë periudhës së procesit zgjedhor brenda Aleancës mund të ketë kandidatë të rinj dhe se janë të hapur për kandidim.
“I kemi edhe tre muaj e pak përpara. Të gjithë anëtarëve të Aleancës në mbarë Kosovën ua uroj hapjen e këtij procesi zgjedhor tejet të rëndësishëm. Në periudhën kur ka zgjedhje brenda partisë, konsiderojmë që dyert janë të hapura për anëtarë të rinj që duan t’i ndihmojnë Kosovës me një koncept të qartë për ta vendosur vendin në binarët e duhur. Për momentin, unë e kam shprehur vullnetin për kandidaturë, por gjatë këtyre tre muajve mund të ketë edhe kandidatura të reja. Aleanca është e hapur për anëtarë dhe anëtare, si dhe për çdo kontribut tjetër”, theksoi Gjini.
Gjatë fjalës së tij, Gjini bëri të ditur se procesi zgjedhor do të zgjasë rreth tre muaj, periudhë gjatë së cilës dyert janë të hapura edhe për kandidatura të tjera.
“I kemi tre muaj e pak përpara. I uroj gjithë anëtarët për hapjen e procesit, që është esenca e demokracisë së brendshme dhe të Kosovës. Dyert janë të hapura për anëtarë të rinj, për njerëz që duan t’i japin Kosovës një koncept politik që do ta kthejë në binarë. Për momentin unë e kam shprehur vullnetin për kandidaturë, por gjatë këtyre muajve mund të ketë edhe të tjerë. Gjithçka është e hapur”, u shpreh Gjini para gazetarëve.
Gjini nuk ka kursyer fjalët mirënjohëse për Ramush Haradinajn, i cili e udhëhoqi partinë që nga themelimi i saj në vitin 2000. Ai e cilësoi punën nën drejtimin e tij si një përvojë të jashtëzakonshme.
“Për ne ka qenë privilegj i jetës të jemi të udhëhequr dhe të shërbejmë nën udhëheqjen e Ramush Haradinajt”, deklaroi ai.